English

"Enciklopedisë maqedonase" dhe inekzistenca e Maqedonisë

"Shkencat historike dhe arkeologjike kanë provuar me kohë se Maqedonia e sotme nuk ka të bëjë me Maqedoninë antike, popullsia e së cilës ishte heterogjene dhe përbëhej nga helenë, trakë dhe ilirë"

Nga Prof. Ardian Marashi

Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë

Botimi i fundit i "Enciklopedisë maqedonase" nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, ende pa u shfletuar mirë, po përcillet me habi dhe me indinjatë jo vetëm nga publiku i gjerë, po edhe nga qarqet shkencore e diplomatike. Në hapësirën gjeokulturore shqiptare objekt i kundërshtimit dhe i zemërimit të hapët janë bërë sidomos interpretimet keqdashëse lidhur me autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë, po aq sa edhe deformimet e qëllimshme në trajtimin e fakteve historike me rezonancë mbarëballkanike dhe të personaliteteve me prejardhje shqiptare. Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, në cilësinë e institucionit të dedikuar për kërkimin shkencor-akademik në fushat e historisë, të arkeologjisë, të gjuhësisë, të letërsisë, të artit, të antropologjisë kulturore, si dhe në kërkimet enciklopedike shqiptare, e gjen me vend të pohojë se liria akademike është gjithçka tjetër, përpos liri për të mashtruar. Shkenca shpeshherë mund të jetë e ashpër në afirmimin e së vërtetës, por ajo nuk mund të jetë shkencë kur merr përsipër të fabrikojë fiksion dhe të prodhojë urrejtje.

E gjejmë, pra, me vend që t'i sjellim në kujtesë opinionit të gjerë disa nga rezultatet e historiografisë moderne, të cilat hedhin dritë mbi historinë e largët dhe të afërt të faktorit shqiptar dhe të atij maqedon në Ballkan.

Zhvillimi historik i gjuhës shqipe dëshmon qartë për praninë e pandërprerë të faktorit shqiptar në trevat ku shqiptarët banojnë sot. E faktojnë këtë sidomos marrëdhëniet gjuhësore të shqipes me greqishten e vjetër, me latinishten, me rumanishten dhe me gjuhët sllave. Veçanërisht marrëdhëniet gjuhësore me rumanishten, të cilat shtrihen në elementin autokton të këtyre dy gjuhëve dhe në evolucionin e njëjtë që kanë ndjekur huazimet e hershme latine, dëshmojnë se këta dy popuj kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin në periudhën e antikitetit dhe të mesjetës së hershme dhe se vetëm dyndjet sllave e ndanë botën shqiptaro-rumune në dy pjesë. Bashkëjetesa e këtyre dy popujve në një periudhë të hershme parasllave është dëshmi e qartë e pranisë së pandërprerë të elementit shqiptar në trevat ku këta banojnë sot, sidomos në pjesën kontinentale në perëndim të Gadishullit Ballkanik. Nga ana tjetër, të dhënat e toponomastikës antike e mesjetare, disa prej të cilave i përkasin shtresës ilire, kurse disa të tjera janë me origjinë latine, në formën e tyre dhe në zhvillimet që kanë pësuar në gojë të shqiptarëve dëshmojnë për praninë e pandërprerë të elementit shqiptar në trevat ballkanike. Ndërkaq, toponimet që kanë hyrë më vonë nga gjuhët sllave dëshmojnë për një shtresë më të re, duke vërtetuar se popullsitë sllave kanë ardhur e janë ngulur në trevat e banuara nga shqiptarët në një epokë më të vonë, e njohur si epoka e dyndjeve të mëdha.

Shkencat historike dhe arkeologjike kanë provuar me kohë se Maqedonia e sotme nuk ka të bëjë me Maqedoninë antike, popullsia e së cilës ishte heterogjene dhe përbëhej nga helenë, trakë e ilirë. Këta të fundit, madje, në shekullin IV p.e.s. formuan në pjesën perëndimore të saj, përreth liqenit Lyhnid ose Ohrit të sotëm, shtetin e parë ilir të enkelejve, të udhëhequr nga mbreti ilir, Bardhyli. Ata që quhen maqedonët e sotëm, vetëm në mesjetën e herëshme u vendosën në territoret që zënë përafërsisht sot.

Dyndjet e shekujve VI-VII e transformuan thellë pamjen etnike të territorit të Ballkanit. Gërmimet arkeologjike të viteve të fundit në Shqipërinë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Kosovë tregojnë se në këto treva ka pasur vazhdimësi kulturore në periudhat historike pasardhëse. Në Maqedoni, përkundrazi, kërkimet arkeologjike janë zhvilluar pa kriteret e duhura shkencore, siç është rasti i gërmimeve masive në kalatë e Ohrit dhe në të Shkupit. Rimarrja, së fundi, nga studiues maqedonas e tezës së vjetër të një "ekspansioni të dhunshëm demografik" të shqiptarëve, pa sjellë kurrfarë argumenti të qenësishëm, tingëllon mjaft arkaike në kushtet e sotme. Është i njohur fakti që në Perandorinë Bizantine popullsia arbër kishte mardhënie partneriteti me nivelet më të larta të administratës civile dhe ushtarake, siç ndodh me familjen Gropaj, e cila është njohur për kontributin e saj në historinë dhe kulturën e trevave të sotme maqedonase.

Dokumentat mesjetare të kancelarive të kohës, si dhe udhëtarë e misionarë perëndimorë gjatë shekujve XI-XIV, kanë përmendur ekzistencën në viset e banuara sot nga shqiptarët të një popullsie që fliste një gjuhë origjinale dhe krejt të ndryshme nga latinishtja, nga greqishtja bizantine e nga sllavishtja mesjetare. Po kështu, në shekullin XV regjistruesit e popullsisë dhe kronistët osmanë i përcaktojnë shqiptarët si një nga elementet etnikë përbërës në territorin e Maqedonisë aktuale. Ky realitet historik është i pranuar nga qarqet shkencore ndërkombëtare qysh në shekullin XIX.

Në mesin e shekullit XIX lëvizja kombëtare shqiptare po rritej në të gjitha trevat etnike, për të arritur një kulm me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878), e cila qe shkalla më e lartë e vetëorganizimit politik, ushtarak, arsimor, kulturor e shpirtëror në epokën e ringritjes së kombit shqiptar. Në atë kohë koncepti "komb maqedon" apo "lëvizje kombëtare maqedone", nuk ekzistonte. Megjithë vështirësitë, shqiptarët krijuan shtetin e tyre kombëtar më 1912. Në Maqedoninë e sotme, shqiptarët ishin një popullsi që luftoi fort për autonomi dhe pavarësi nga sundimi osman. Por, siç dihet, pas Luftërave Ballkanike ky territor iu dha nga fuqitë e mëdha Serbisë. Është koha kur ende nuk ekzistonte një lëvizje maqedone, por aty kacafyteshin lëvizjet politiko-ushtarake bullgare, serbe e greke, për të keqen e madhe të shqiptarëve e të vllehëve, që luftonin për liri dhe afirmim kombëtar. Lëvizja maqedone u konturua në vitet ‘20 të shekullit XX, ndërsa kombi maqedon nisi të afirmohej vetëm pas luftës II Botërore, me krijimin e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Është e kuptueshme që kombi i ri maqedon, që e fitoi të drejtën shtetformuese mbas shembjes së Murit të Berlinit, ndodhet ende në fazën e ndërtimit të identitetit të vet. Për fat të keq, botimi akademik i "Enciklopedisë maqedonase", në vend që të ndërtojë një identitet të ri dhe të qëndrueshëm maqedon për të gjithë, padit një krizë të fortë identiteti. Vërejmë se kjo krizë po synohet të zgjidhet në mënyrën më të gabuar për Maqedoninë, përderisa Akademikët e saj po implementojnë në formë naive dhe vulgare nacionalizmin romantik në shkencë, duke kërkuar ta zgjidhin krizën identitare maqedone me përbaltje të historisë së shqiptarëve dhe të së vërtetës shkencore. Fatkeqësisht, ata duket se nuk kanë nxjerrë mësime nga e kaluara e hidhur e afërt, kur dokumente të ngjashme pseudoshkencore të Akademikëve serbë u përdorën prej ultranacionalistëve shovinistë për të përgatitur fushatat e konflikteve dhe spastrimin etnik në ish-Jugosllavi, duke frymëzuar ndër të tjera genocidin kundër shqiptarëve të Kosovës dhe revoltat e armatosura të shqiptarëve të Maqedonisë.

Akademikët maqedonas po dëshmojnë se e shohin demokracinë si një rrezik dhe jo si një projekt zhvillimi dhe lirie qytetëruese. Pritej që me idetë e tyre ata ta çonin përpara drejt integrimeve rajonale dhe evropiane republikën e tyre të re, kurse në fakt i lejuan vetes që të tërhiqen prapa nga forca të së shkuarës, duke iu rikthyer politikave përjashtuese e diskriminuese raciste, të frymëzuara nga pseudo-akademizimi i perënduar pansllav. Me trillime antishkencore dhe denigruese ndaj kombeve të tjerë nuk i shërbehet integrimit dhe prosperitetit të popujve ballkanikë. Shtrembërimi i historisë, fyerja ndaj identitetit të shqiptarëve të Maqedonisë e të shqiptarëve në përgjithësi, jo vetëm që nuk i sjellin asnjë dobi afirmimit dhe konsolodimit identitar maqedonas, por krijojnë në mënyrë artificiale tensione ndëretnike në vend, duke vënë në vështirësi perspektivat euro-atlantike rajonale.

Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ashtu si dhe institucionet e tjera shkencore shqiptare, alarmohen nga rishfaqja në Ballkan e metodave tendencioze antishkencore me frymëzim nacionalist, të cilat minojnë urat e miqësisë dhe të solidaritetit ndëretnik që shtetet tona po përpiqen të ndërtojmë. Është koha që pjesa e dhunshme e historisë së copëtuar të Ballkanit të mbetet në histori, për të na kujtuar reciprokisht se si nuk duhet t'i ndërtojmë marrëdhëniet tona në Evropën e popujve të lirë.

KOMENTE