Berat, 21 shtator NOA - Vetëm 5 ditë ndajnë votimet për të zgjedhur kreun e Partisë Socialiste të katër viteve të ardhshme, ndërsa dy kandidatët Edi Rama dhe Maqo Lakrori kanë vijuar fushatën e tyre sot në qytetin e Beratit, ku kanë paraqitur platformat e tyre para anëtarësisë së partisë së këtij qyteti.
Kryetari aktual i PS-së, Edi Rama gjatë prezantimit të platformës së tij ka folur për rregulla që përcaktojnë qartë të drejtat dhe detyrimet e çdo individi që merr një detyrë në parti, duke nisur që nga kreu i organizatës duke përfunduar tek deputetët, anëtarët e kryesisë dhe në të gjitha forumet drejtuese.
Rama është shprehur se për të pasur rregulla të qarta e të shkruara ku përcaktohen detyrimet dhe të drejtat e gjithsecilit.
Mirëpo si kryetar në detyrë i PS, Edi Rama njëherësh kandidat për kryetar në 4 vitet e ardhshme është ndalur gjerësisht në marrëdhëniet e kushtëzuar me kuvendin e Shqipërisë, që PS ka vendosur.
"Nuk mund të hyjmë në kuvend e të hartojmë ligje të tjera kur ligjet që miratuam me konsensus u shkelën.
Ne, kërkojmë transparencë për zgjedhjet e 28 qershorit dhe kontributi ynë tashmë për vendin është vendosja e zbatimit të ligjit, parimeve themelore të demokracisë, dhe jo shndërrimi i ligjeve të shkruara e të miratuara, në organin më të lartë ligjvënës, në letra pa vlerë" tha sot Rama.
"Garancia për mbrojtjen e votës që ne kishim shkruar të zezën mbi të bardhë në ligj u shkel. Duke u shkelur ligji është shkelur e drejta jonë themelore.
E, këtë të drejtë ne duhet e do ta fitojmë, me çdo mjet, me çdo kusht, me çdo rrugë, duke ju vendosur përballë këtij pushteti e duke e ndalur atë përmes rezistencës demokratike. Nëqoftëse Sali Berisha mori kurajën të shkeli këtë garanci, ta kthej këtë garanci të shkruar në ligj, në një copë letër pa vlerë ne marrim kurajën t'i themi Sali Berishës e kujtdo tjetër se për ne ky parlament nuk ka asnjë vlerë nëqoftëse nuk vepron si tempulli ku ligjet që shkruhen janë ligje që zbatohen" shtoi më tej Rama.
Ndërsa konkurrenti tjetër në këtë garë, Maqo Lakrori ka folur për tezat e tij si bashkimi i të majtës në formacione të ndryshme, si federate apo shkrirja në strukturat e PS.
Lakrori është ndalur dhe në një pikë të rëndësishme siç është konkurrimi në parti.
Ai ka kërkuar që të vendosen disa rregulla të qarta të këtij konkurrimi që edhe karriera në parti të bazohet në kontribute.
"Ne duhet të zbatojmë në partinë tonë në mënyrë të detyruar konkurrimin e hapur. Njerëzit të ecin në jetë, të bëhen pjesëtarë të ekipeve drejtuese politike të partisë, por edhe të përfaqësuesve të socialistëve në pushtetin vendor e qendror, bazuar në vlerat e tyre. Në vlerat të cilat i njohin të gjithë njerëzit, anëtarët e partisë dhe shoqëria rreth tyre. Pra, ne duhet ta bëjmë të detyrueshme nëpërmjet statutit tonë që kandidimet për të gjitha këto lloj detyrash që ka me mijëra e me mijëra të tilla, të bëhen sipas kritereve që t'i njohë e gjithë partia, gjithë opinioni publik e të kalojnë nëpërmjet një procesi konkurrimi të kontrollueshëm nga të gjithë" tha Lakrori.
k.k/NOA
Â