English

Grevë urie në burgun e Fushë-Krujës, 2 vëllezër të dënuar kërkojnë rigjykim

Fushë-Krujë, 21 Shtator NOA - Dy persona të dënuar, kanë hyrë në grevë urie në institutin e riedukimit të Fushë Krujës, duke kundërshtuar vendimin e dhënë nga gjykata për dënimin e tyre me 22 vjet burgim.

Dy vëllezërit shkodranë, Agron dhe Anton Markaj, sipas burimeve për agjencinë e lajmeve NOA nga burgu i Fushë Krujës, janë ngujuar që prej ditës së mërkurë, duke refuzuar ushqimin.

Që të dy ata, janë dënuar një vit më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër për vrasjen e Gjelosh Fronit, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Çast të Velipojës.

Burime nga burgu i Fushë-Krujës kanë bërë me dije se dy vëllezërit kanë marrë kontakte me drejtuesit, por edhe pas negociatave me ta kanë kundërshtuar të marrin ushqimin. Mësohet se 24-vjeçari Agron Markaj dhe vëllai i tij më i madh Anton Markaj, kërkojnë rigjykimin e tyre nga e para, pasi këmbëngulin se nuk kanë lidhje me vrasjen e ndodhur 11 vjet më parë.

Ata ranë në pranga në vitin 2003, pasi akuzoheshin për veprën penale të "vjedhjes me armë".

Në vitin 2006 në ngarkim të tyre nisi procesi për vrasjen e Gjelosh Fronit, ku pas marrjes së deklarimeve të një numri dëshmitarësh gjykata i dënoi ata me 20 vjet burgim për veprën penale të "vrasjes me paramendim" dhe 3 vjet për veprën e "armëmbajtjes pa leje".

Në bashkim të dënimeve të dy vëllezërit u dënuan përfundimisht me 22 vjet burgim, vendim që e kundërshtojnë duke thënë se nuk kanë gisht në vrasje ndaj janë ngujuar në përpjekje për të vënë në lëvizje drejtësinë.

/e.r/b.a/NOA/

Â

Â

KOMENTE