Romë, 21 shtator, NOA - Heshtje dhe zi kanë shoqëruar paraditen e sotme kalimin e 6 trupave pa jetë të gjashtë ushtarëve italianë të vdekur në Kabul drejt Katedrales së Shën-Palit në Romë.
Në këtë ditë që është cilësuar si ditë zie për të gjithë Italinë, mijëra ushtarë dhe njerëz të thjeshtë kanë bërë homazhe duke mbajtur flamurin trengjyrësh, ndërsa shoferët në rrugë kanë ndaluar duke u bashkuar me qytetarët e tjerë dhe duke duartrokitur për të nderuar viktimat.
Para se trupat e tyre të drejtohen për në banesën e fundit, një meshë madhështore është duke u zhvilluar për ta në Katedralen e Shën-Palit në Romë, ku marrin pjesë personalitete të mëdha të jetës italiane si kryeministri Silvio Berluskoni apo Presidenti Giorgio Napoletano.
Vdekja e 6 ushtarëve të fundit, konsiderohet si humbja më e madhe e Italisë në radhën e trupave që ka dërguar në Afganistan.