English

Klinika "Vital Truck" - Kamioni i Jetës, një nismë e dobishme

Nga Eglantina Nasi

Tiranë, 21 shtator NOA - "Është më mirë të parandalosh një sëmundje, sesa ta kurosh atë!

Ky është slogani i vënë në qendër të nismës "Vital Truck" - Kamioni i Jetës, iniciuar nga grupi "Sigal Uniqa Group Austria".

Ajo përfaqësohet në terren si  ë një klinikë mjekësore e lëvizshme, e pajisur me disa pajisje moderne ekzaminimi të cilat do të mundësojnë ekzaminimin dhe diagnostikimin falas të gjendjes shëndetësore të një pjese të popullsisë në qytetet kryesore të Shqipërisë.

E hedhur në treg nga Sigal, në vitin e dytë të hedhjes në treg të produkteve të Sigurimit Privat të Shëndetit, ajo përbën një nismë të dobishme në kuadrin e kontrollit periodik të gjendjes shëndetësore të popullatës për parandalimin e përkeqësimit të shëndetit dhe diagnostikimin e sëmundjeve në fazën fillestare.

Flet për Agjencinë e Lajmeve NOA, znj. Ditika Kruja - zv/ drejtore e Përgjithshme e SIGAL

Znj. Kruja, a mund të sqaroni për lexuesit e agjencisë NOA se çfarë presupozon në vetvete nisma "Vital Truck"?

-Siç mund ta shihni edhe nga slogani që ne kemi zgjedhur "Është më mirë të parandalosh një sëmundje, sesa ta kurosh atë!", kjo nismë i shërben qëllimit të diagnostikimit të sëmundjeve të ndryshme tek popullata dhe këtë shërbim ne e ofrojmë falas. Ne besojmë tek fakti që sëmundjeve mund t'u bëhet një kurim më efektiv nëse ato zbulohen në kohë.

A mund të na thoni diçka për stafin mjekësor që do ta drejtojë këtë iniciativë?

- Stafi i klinikës "Vital Truck" është i përbërë nga 7 ekspertë austriakë dhe 15 specialistë vendas. Turi i tyre do të kalojë në disa nga qytetet e Shqipërisë si në Tiranë,Vlorë, Shkodër, Fier dhe Durrës. Klinika do të qëndroje rreth një muaj dhe parashikohet të kryejë ekzaminimin e mbi 2000 pacientëve. Gjatë këtij turneu, është menduar të ekzaminohet 40 për qind e popullsisë e moshës 18-45 vjeç.

Mund të na thoni datat konkrete të turit që po ndërmerr "Vital Truck"?

- Nisma "Vital Truck" ka inciuar tashmë me qytetin e Tiranës gjatë datave 16-22 shtator, për të vijuar më pas gjatë datave 23-24 shtator në qytetin e Vlorës. Dy ditë më pas, përkatësisht në datat 25-26 shtator i ashtuquajturi "Kamioni i Jetës" do të gjendet në qytetin e Fierit, për të vijuar dy ditët e mëpasme në qytetin e Shkodrës dhe në fund, gjatë datave 29-30, turi do të përmbyllet me qytetin e Durrësit.

***

Vlerësimi i ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili

Ndërkaq, klinika "Vital Truck" (Kamioni i Jetës) është vizituar edhe nga vetë ministri i Shëndetësisë, Â Petrit Vasili, i cili e ka vlerësuar atë si një risi që vjen për herë të parë në Shqipëri. Në fjalën e tij, Vasili përshëndeti Bordin Menaxhues të "UNIQA Group Austria", si edhe stafin e "Sigal", duke e vlerësuar iniciativën e kësaj kompanie si një "aktivitet që synon të kthejë vëmendjen te parandalimi i sëmundjeve, diagnostikimi i të cilave bëhet i mundur përmes pajisjeve bashkëkohore dhe cilësore të kësaj klinike".

Duke u ndalur në një prej problemeve kryesore të spitaleve sot në Shqipëri, siç është mbingarkesa, ministri Vasili e cilësoi sjelljen e Klinikës në Shqipëri si "një zgjedhje mjaft inteligjente, pasi përmes kontrolleve parandaluese synohet të ulet mbingarkesa e qendrave spitalore në vend".

Vlerësimi i drejtorit të "Sigal", z. Avni Ponari

Por në lidhje me aktivitetin "VitalTruck Tour", ka thënë fjalën e tij përshëndetëse edhe Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i "Sigal Uniqa Group Austria". Ponari u shpreh se ky aktivitet është pjesë e përkujdesjes dhe vizionit të kompanisë që ai drejton, në drejtim të mirëqenies së klientëve të saj dhe në emër të një shëndeti më të mirë.

"Nëpërmjet organizimit të këtij aktiviteti, synimi ynë është që popullsia të ndërgjegjësohet për rëndësinë absolute të kontrolleve të vazhdueshme shëndetësore përmes të cilave shmanget diagnostikimi i vonshëm i sëmundjeve", - theksoi Ponari.

Duke vënë theksin në Sigurimin Privat të Shëndetit dhe pranisë së këtyre produkteve në

tregun shqiptar të sigurimeve, Avni Ponari, tha më tej se produktet e Sigurimit Privat të Shëndetit të prezantuara nga kompania, janë në vijim të përpjekjeve për të krijuar një treg modern të sigurimeve në Shqipëri. "Përmes këtyre produkteve dhe përgjithësisht, përmes risisë dhe gamës së gjerë të produkteve që ofron, Sigal do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut shqiptar të sigurimeve dhe natyrisht të sigurimeve shëndetësore. Sigal është e para kompani që hyri në këtë treg që konsiderohej i pa depërtueshëm dhe tërësisht i mbuluar nga shërbimi falas shëndetësor", - tha Ponari.

Ekzaminimet të cilat kryhen nga Klinika Lëvizëse

Përsa i përket testimit në Klinikën Lëvizëse, ai përfshin ekzaminimet e mëposhtme:

* EKG qetësie ( elektrokardiograme )- Vicardio, është një pajisje që mat frekuencën e zemrës dhe identifikon ndryshimet e mundshme të ritmit.

* Kontroll kardiovaskular - Kapaciteti i sistemit kardiovaskular vlerësohet nëpërmjet nivelit të rezistencës së arritur në cikloergometër ( biçikletë ), për të përcaktuar edhe frekuencën kardiake ideale për trajnimin tuaj.

* Matja e shtresës dhjamore të trupit- Matja ekzakte e indeksit të dhjamit trupor bëhet

përmes një aparature me rreze infra të kuqe.

* Testi i Lëvizshmërisë i cili identifikon kufizimet e lëvizshmërisë dhe kontraksionet

muskulore të mundshme.

* Koordinimi dhe balanca- Me këtë test ekzaminohen aftësitë e lëvizjes si edhe aftësitë

stabilizuese të artikulacioneve të gjunjëve dhe legenit.

* Fuqia- Fuqia shtytëse e muskujve të ndryshëm të trupit ekzaminohet objektivisht mes një analizë izometrike të kompjuterizuar.

* Qëndrimi i trupit/ Shtylla kurrizore- Pajisja ekzaminon formën dhe lëvizshmërinë e

vertebrave të shtyllës kurrizore në pozicione të ndryshme të trupit.

Në fund të ekzaminimeve, mjekët specialistë mundësojnë këshillim individual, me sugjerimet përkatëse për përmirësimin e aktivitetit tuaj fizik gjatë ditës.

/e.n/b.a/NOA/

KOMENTE