English

Komuniteti serb, i ndarë për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 15 nëntorit në Kosovë

Prishtinë, 21 shtator, NOA - Përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në Kosovë, vazhdojnë të mbeten të ndarë në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Ndërsa, një pjesë e këtyre përfaqësuesve u adreson thirrje serbëve që të respektojnë thirrjet e Beogradit për bojkot, pjesa tjetër e spektrit politik serb është gjithnjë e më e nxitur për pjesëmarrje.

Deklarimi i tri komunave të reja me shumicë serbe, zgjerimi i kufijve të komunës së Novobërdës, si edhe paralajmërimi për formimin e komunave të Parteshit dhe Mitrovicës së veriut, shihet në mënyra të ndryshme nga përfaqësuesit e komunitetit serb. Te subjektet politike serbe që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës, është rritur tashmë interesimi i pjesëmarrjes. Përderisa ata të veriut, në deklarimet e tyre publike nuk japin shenja, e as mesazhe politike për ndonjë dalje, pavarësisht rritjes së numrit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Përkundrazi, ftojnë serbët që t'i bojkotojnë zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Mirëpo, ftesat që vijnë qoftë nga qeveria e Serbisë, apo liderët lokalë serbë të veriut për bojkot, nuk ndikojnë te një pjesë e komunitetit serb në pjesët tjera të Kosovës. Nënkryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Bojan Stojanoviq, thotë se pjesëmarrja në zgjedhje është në interesin e serbëve, pasi që me formimin e komunave të reja dhe decentralizimin e pushtetit, serbët do të përfitojnë të marrin në duart e tyre pushtetin lokal në komunat ku jetojnë. "Ne nuk kemi dilema në lidhje me daljen në zgjedhje, sidomos në komunat e reja të decentralizuara, në të cilat shumicën do ta përbëjnë serbët, ngase në këtë mënyrë ne marrin nën udhëheqje komunat dhe paraqet një prej kushteve themelore që t'i realizojmë të drejtat e bashkësisë serbe", thotë Stojanoviç. Në anën tjetër, Goran Arsië, zyrtar i qeverisë së Serbisë i ngarkuar si kryesues i qarkut për Kosovën, beson se gatishmëria e shumë subjekteve serbe për të dalë në zgjedhje nuk do të reflektojë te votuesit serbë, të cilët ai i fton që të mos votojnë. "Do të ketë të një numër të vogël njerëzish që do të dalin në zgjedhje, pavarësisht thirrjeve të përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë". "Por, ata nuk do të jenë përfaqësues relevantë të komunitetit serb, duke marrë parasysh daljen e ulët të votuesve serbë, kështu që këta njerëz nuk do ta kenë mundësinë e përfaqësimit, e as nuk do të jenë kredibilë", shpjegon Arsiç. Mirëpo, për dallim nga spektri politik serb që vendimet e veta i mbështet vetëm në direktivat e Beogradit, Bojan Stojanoviq nga Partia e Pavarur Liberale thotë se pjesëmarrja në zgjedhje paraqet përgjegjësi dhe se, sipas tij, serbët duhet ta kuptojnë se do të përfitojnë nga ky proces, duke pasur parasysh edhe decentralizimin, i cili u garanton komunave të reja më shumë vetëqeverisje lokale. "Decentralizimi duhet të zbatohet menjëherë, ky është një moment i rëndësishëm për komunitetin serb dhe, para së gjithash, duhet të tregohemi se jemi njerëz të përgjegjshëm", vlerëson Stojanoviç. Sidoqoftë, në deklaratën e shefit të ICO-së, Pitër Feith, thuhet se komunat e reja do të gëzojnë kompetenca të njëjta, si të gjitha komunat e tjera në Kosovë, dhe do të marrin përsipër disa kompetenca të zgjeruara, përfshirë këtu mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe emërimin e komandantëve lokalë të policisë. Derisa është marrë vendim për formimin e 3+1 komunave të reja, Feith bën me dije se pas përparimeve të nevojshme, decentralizimit dhe formimit të komunave të reja do t'i nënshtrohen edhe Parteshi dhe Mitrovica Veriore, ku për shkak të shkallës së përgatitjeve, zgjedhjet do të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj pas 16 nëntorit 2009.

NOA-INA

KOMENTE