English

Kosovë, ADK kundër Enciklopedisë Maqedonase: Të ndalohet ky botim

Kosovë, 21 shtator NOA - Enciklopedia e Maqedonisë ka sjellë reagimet negative dhe të partisë Alternativa Demokratike e Kosovës.

ADK, me anë të një deklarate për shtyp, reagoi sot lidhur me botimin "Enciklopedia e Maqedonisë", të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë duke i quajtur të pavërteta ato që thuhen për shqiptarët.

ADK vlerëson se përpjekjet për të shtrembëruar historinë mbi shqiptarët janë anakronike dhe siç është dëshmuar deri tani janë të pasuksesshme.

"Një vepër e tillë me synime për të denigruar shqiptarët, po ashtu cenon marrëdhëniet ndëretnike dhe nuk i kontribuon qëllimeve për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe respekt midis kombeve të rajonit dhe në radhë të parë në vet shtetin e Maqedonisë. Në shekullin njëzetë e një, kur tashmë i lëmë pas historitë e hidhura, një hap i tillë ngjason si riciklim i mentaliteteve shtypëse dhe diskriminuese, që do të duhej ti takonin të kaluarës", thuhet në komunikatën e ADK-së.

Me anë të komunikatës për shtyp lëshuar ditën e sotme Alternativa Demokratike e Kosovës, ftoi qytetarët dhe të gjitha institucionet në Maqedoni që të distancohen nga qëndrimet dhe veprat pseudo-akademike të autorëve të kësaj enciklopedie.

ADK kërkoi gjithashtu ndërprerjen e botimit të kësaj enciklopedie si dhe kërkoi që akademikët shqiptar, që ishin bashkautor të këtij botimi të turpshëm të japin dorëheqje, ndërsa të gjithë akademikët shqiptarë të cilët janë pjesë e kësaj akademie që ka nxjerr këtë dokument, të distancohen publikisht nga kjo akademi deri në rastin kur ky institucion të mos kërkoj falje publike mbarë kombit shqiptar.

k.k/NOA

KOMENTE