Torino, 21 shtator NOA-Është prezantuar javën e shkuar në Torino të Italisë, filmi shqiptar "Kronikë Provinciale" me regji të Artan Minarollit dhe skenar të Ylljet Aliçkës.
Veprimtaria e organizuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare"Vatra", u zhvillua në kuadër të projekteve "Festival della Cultura Albanese", mbështetur nga Regione Piemonte dhe "Cinemainstrada", festivali shëtitës që zhvillohet tashmë prej 6-të edicionesh në Torino.
Kinemaja e këtij festivali origjinal e krejt të veçantë projektohet në sheshet dhe këndet më të jetuara të qytetit.
Më i madhi, më i zhurmshmi, më i larmishmi e më i bujshmi i këtyre shesheve-agorà , në Torino e në të gjithë Piemontin, është padyshim Porta Palazzo.
I mbuluar me tezga dhe i rrethuar nga të katër anët nga dyqane të vogla e të mëdha që tregtojnë prodhime nga e gjithë bota, Porta Palazzo është gjithashtu edhe zemra e zonës më të madhe multi-entike të Torinos.
Pikërisht në këtë sfond shumëngjyrësh, jo larg hyrjes së xhamisë në fjalë, ku besimtarë të shumtë faleshin për lutjen e mbrëmjes, u shfaq premiera italiane e "Kronikës Provinciale".
Në të mori pjesë edhe njëri prej autorëve, skenaristi i filmit, shkrimtari Ylljet Aliçka,
aktualisht Ambasador i Shqipërisë në Francë dhe pranë Unescos.
Publiku shijoi dhe duartrokiti humorin e batutave të filmit, pamjet e bukura të sokakëve të Beratit, mjeshtërinë artistike të kastit të aktorëve të përzgjedhur, ku spikasnin emrat më në zë të kinematografisë Shqiptare, risinë e Tedi Papavramit në rolin e aktorit, si edhe, natyrisht, interpretimin (dhe bukurinë) e Arta Dobroshit.