English

MASH: Studentët e refuzuar nga rektori i Vlorës Shaska, janë automatikisht të regjistruar

Tiranë, 21 Shtator NOA - Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sfidon rektoratin e Universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë dhe vendos regjistrimin automatik të të gjithë studentëve të refuzuar në Vlorë.

Burime zyrtare nga MASH, i thanë pak më parë agjencisë së lajmeve NOA se ministri i ri, Myqerem Tafaj ka vendosur të shpallë regjistrimin automatikisht të afro 500 studentëve të cilët ndonëse fituan të drejtën e studimit në Vlorë, u refuzua nga rektorati atje që të regjistrohen, pasi kishin mesatare nën 6.0, e vendosur si kriter në këtë universitet, nga rektori Tanush Shaska.

Ky është një lajm i mirë për djemtë e vajzat që prej ditësh u bënë objekt i debateve dhe përplasjeve të shumta rektorat i UV-MASH duke u sorollatur gjatë në pritje për t'u regjistruar në këtë universitet.

Më poshtë mund të lexoni dhe letrën përmes e-mailit që rektori Tanush Shaska u dërgoi stafit pedagogjik të UV një ditë më parë, duke u qartësuar se asnjë student me mesatare nën 6.0 nuk duhet të pranohej për regjistrimi, pavarësisht urdhrit të MASH-it:

Të nderuar kolegë e Pedagogë!

Numrat përfundimtarë të regjistrimeve janë 1605 studentë të rinj në Universitetin e Vlorës.

Në krahasim me vitin 2008 kjo do të thotë 137 studentë më shumë.

Natyrisht të gjithë këta studentë të sivjetshëm kanë mesataren mbi 6, në ndryshim me vitin e kaluar.

Është një sukses i madh i UV-së që arriti të rrisë numrin e studentëve të rinj duke vendosur gjithashtu edhe kushtin e mesatares.

Të rejat e këtij viti janë edhe këto:

Dega më me shume studentë është Shkencat Kompjuterike, me 198 studentë. Departamenti më me shumë studentë është Departamenti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë Elektrike, me 305 studentë.

Rënien më të madhe në numër studentësh e ka pasur dega e Italishtes, nga 150 studentë në 2008, në 62 studentë këtë vit.

Unë dua t'ju uroj mirëseardhjen gjithë studentëve të rinj në gjirin e UV-së.

Dua të përgëzoj gjithë stafin e UV-së dhe sidomos zyrën e regjistrimit për një punë të shkëlqyer. Ju uroj të kaloni mirë fundjavën, pasi meritoni vërtet të çlodheni.

Shihemi të hënën në mëngjes.

Përshëndetje,

Rektori

KOMENTE