Vlorë, 21 shtator NOA - Vendimit të senatit të Universitetit të Vlorës për të mos pranuar regjistrimin e kandidatëve për studentë që kanë mesataren nën 6 u janë bashkuar edhe pedagogët e këtij universiteti.
Kështu Universiteti "Ismail Qemali" në Vlorë duket se i ka hapur "luftë" rreth 100 kandidatëve dhe ministrisë së Arsimit që mbajnë anën e këtyre të fundit.
Pedagogët e universitetit të Vlorës lëshuan sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës e kanë quajtur të drejtë vendimin e senatit të këtij universiteti për të mos pranuar në auditorë asnjë maturant që ka mesataren në notën 6.
Por deklarata e pedagogëve nuk përfundon vetëm me miratimin e vendimit të senatit por vazhdon edhe me kërcënim nga ana e tyre duke shtuar kështu se do të largohen nga puna nëse nuk respektohet vendimi i tyre.
"E theksojmë edhe njëherë se ky vendim u mor me dëshirën e mirë që të rritet cilësia e përgatitjes së studentëve në këtë universitet, pra, në përgjigje të realizimit cilësor të përgatitjes së specialistëve të lartë" thuhej në deklaratën e përbashkët të pedagogëve.
Për pedagogët është e patolerueshme deklarata e drejtoreshës së Arsimit të Lartë në këtë Ministri,. Elida Hoxha, duke përgënjeshtruar deklaratën e saj se ata kanë vepruar sipas ligjit. "Me këtë vendim askush nuk ka të drejtë të abuzojë duke e konsideruar atë si një masë diskriminuese kundër nxënësve të shkollave të mesme. Ne i rekomandojmë zonjës drejtoreshë të lexojë me kujdes ligjin ku thuhet "Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t'u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga institucionet e arsimit të lartë të paktën një vit para fillimeve të pranimeve të radhës në institucion" thuhet më tej në deklaratën e pedagogëve të universitetit të Vlorës.
Për pedagogët shkelja e ligjit nga ana e tyre do të sillte dhe largimin më pas nga puna pasi ata nuk mund të qëndronin në një universitet ku nëpërkëmbet dinjiteti dhe i detyrojnë të shkelin hapur ligjin.
k.k/NOA