Tiranë, 21 shtator NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dalë kësaj here para mediave për të ripërsëritur kushtet legjitime që kërkon prej Sali Berishës për të mos bojkotuar Kuvendin.
Mbrojtja e demokracisë dhe e zgjedhjeve të lira është sipas Ballës kushti që PS kërkon për të mos bojkotuar institucionet demokratike dhe një parlament demokratik.
"PS i ripërsërit  Sali Berishës kushtet legjitime, realizimi i të cilave është themelor, jo vetëm për forcën tonë politike, por për vendosjen e demokracisë në këtë vend.
Ne nuk po bojkotojmë institucionet demokratike, nuk po bojkotojmë një parlament demokratik, ne jemi në këtë marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur themelin e institucioneve demokratike, pra zgjedhjet dhe votën e lirë.
Nuk mund të kthehemi në atë parlament, nëse nuk na respektohet e drejta jonë, e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ne do të jemi në Parlament vetëm atëherë kur të na garantohet hetimi i kutive të votimit, rikthimi në punë i opozitarëve, ndëshkimi me ligj i urdhëruesve të lirimit nga burgjet të kriminelëve që bënë fushatë dhe presion për të votuar pushtetin" tha sot Balla.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë i kanë dhënë PS-së përgjegjësinë e madhe për të mbrojtur demokracinë dhe demokracia mbrohet duke respektuar votën.
"As Sali Berisha dhe as ndonjë mjeran tjetër që vrapon pas karriges dhe interesave nuk mund të na ndalë ne nga angazhimi ynë historik për t'i rikthyer institucioneve demokratike legjitimitetin e munguar.
E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të garantohet nga institucione me legjitimitet të cunguar, por nga institucione plotësisht demokratike.
Qëndrimet abuzive të Berishës me proceset integruese të vendit, janë një turp që dëshmon papërgjegjshmërinë e tij në lidhje me këtë proces.
Prandaj PS i kujton sot Sali Berishës, se ne do të përdorim çdo mjet dhe veprim që mbron demokracinë" shtoi më tej Balla.
k.k/NOA
Â