Tiranë, 21 shtator, NOA - Metodat tendencioze me frymëzim nacionalist me të cilat është hartuar enciklopedia maqedonase, po minojnë urat e miqësisë dhe të solidaritetit ndëretnik që shtetet tona po përpiqen të ndërtojnë.
Kështu është shprehur zyrtarisht përmes një deklarate të posaçme Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, lidhur me ato që i quan si trillime në Enciklopedinë e Akademikëve të Maqedonisë për kombet e tjera, ku shqiptarët janë cilësuar si "të ardhur nga mali".
Tepër të alarmuar nga ky fakt, albanologët shqiptarë e kanë cilësuar hartimin kësaj enciklopedie, të hartuar mbi baza joshkencore dhe të dukshme tendencioze, të cilat dëmtojnë Ballkanin.
Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë pohon se shkenca shpeshherë mund të jetë e ashpër në afirmimin e së vërtetës, por ajo nuk mund të jetë shkencë kur merr përsipër të fabrikojë fiksion dhe të prodhojë urrejtje. Më pas, albanologët shqiptarë, duke vënë në qendër problemet e Maqedonisë, pohojnë në deklaratën e tyre se ajo vetë ndodhet ende në fazën e ndërtimit të identitetit të vet dhe për fat të keq, botimi akademik i "Enciklopedisë maqedonase", në vend që të ndërtojë një identitet të ri dhe të qëndrueshëm maqedon për të gjithë, padit një krizë të fortë identiteti të tij.
Ata hedhin në mënyrë kategorike poshtë faktin e cituar nga ekspertët maqedonas, të gjoja ekspansionit të shqiptarëve, duke thënë hapur se Maqedonia e sotme nuk ka të bëjë me Maqedoninë antike, popullsia e së cilës ishte heterogjene dhe përbëhej nga helenë, trakë e ilirë.
Sipas albanologëve shqiptarë, me trillime antishkencore dhe denigruese ndaj kombeve të tjerë nuk mund t'i shërbehet integrimit dhe prosperitetit të popujve ballkanikë.
n.e/NOA