Tiranë, 21 shtator NOA - "E dija se ishte femër dhe doja të kryeja marrëdhënie seksuale me të por kur mësova se ishte mashkull mu errësuan sytë dhe e qëllova".
Kështu e ka nisur rrëfimin e tij, autori kryesor i dyshuar për vrasjen e tranvestitit të njohur "Kristina" tre net më parë vetëm pak metra larg Ministrisë së Brendshme në Tiranë.
Burime nga policia e Tiranës thanë për agjencinë e lajmeve NOA se ka vënë në pranga ditën e sotme autorin e dyshuar të therjes me thikë të tranvestitit 30-vjeçar.
Sipas policisë i dyshuari është Sebadin Hoxha 36-vjeç nga Prizreni i Kosovës.
Mësohet se 36-vjeçari kishte ardhur dy javë më parë në Tiranë nga Kosova dhe qëndronte shpesh pranë lulishtes te "Ushtari i Panjohur" në Tiranë ku kishte vënë re edhe tranvestitët që qëndrojnë aty në kërkim të klientëve.
Kosovari i ka vënë syrin njërit prej tyre që në fakt më vonë ai do tregonte se kishte kujtuar se ishin femra.
"Kristina" ishte e përzgjedhura e 36-vjeçarit për të kryer marrëdhënie seksuale dhe për pazarin kishin vendosur një shumë prej 5 euro.
Kështu ‘Kristina" ka ndjekur nga pas kosovarin i cili kishte gjetur një vend të përshtatshëm për të kryer marrëdhënie seksuale. Por sapo janë afruar "prostituta" i kishte thënë klientit se nuk ishte femër por mashkull.
Kaq ka mjaftuar që klienti të irritohet në maksimum aq sa ai vetë e ka justifikuar me vrasjen e tranvestitit.
Policia ka rënë në gjurmët e autorit të dyshuar në bazë të dëshmive të tranvestitëve të tjerë të cilët deklaruan se prej disa ditësh pranë vendit ku qëndronin ata vinte rrotull një burrë.
Ndërkohë që pol8icia pohoi se autori gjatë marrjes në pyetje ka shfaqur shenja të çrregullimit mendor.
k.k/NOA