Vlorë, 21 shtator, NOA - Kanë vazhduar edhe mëngjesin e sotëm protestat e studentëve të Universitetit të Vlorës, të cilët nuk lejohen të regjistrohen në këtë universitet.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, edhe sot të gjithë studentët që nuk lejohen të kryejnë aktin e regjistrimit për në degët e këtij universiteti janë mbledhur para tij duke protestuar.
Bëhet fjalë për rreth 600 studentë me mesatare nën 6 të cilët presin të nisin studimet, por që me justifikimin e mesatares shumë të ulët, nuk lejohen të kyejnë këtë akt nga pedagogët e tyre.
Situata e vështirë ka vazhduar me gjithë deklaratën zyrtare të dhënë nga Ministria eArsimit se të gjithë personat e shpallur fitues nga ana e saj do të regjistroheshin nga të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në vend, kur në universitetin "Ismail Qemali" një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kjo në sajë të një vendimi të marrë që një vit më parë nga senati i universitetit të Vlorës i cili përcaktonte se nuk do të regjistrohej në këtë institucion asnjë maturant që kishte mbaruar me mesataren nën notën 6.
n.e/NOA