Tiranë, 22 shtator NOA - Avokati i Popullit zbulon dhunën e ushtruar dy javë më parë në Burgun e Lezhës ndërsa ka lëshuar një rekomandim për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që të reflektojë mbi rastin.
"Avokatit i Popullit në rrugë konfidenciale, është njoftuar se më datë 10 shtator të këtij viti në Burgun Lezhës ka pasur një konflikt fizik midis disa të paraburgosurve, si dhe është pretenduar se është ushtruar dhune edhe nga punonjësit e Policisë së Paraburgimit Lezhë.
Në këtë informacion bëhej e ditur se si pasojë e këtij konflikti ishin dëmtuar fizikisht dhe ishin izoluar me pas të paraburgosurit S. Sh., S. P., D. P., A. L., Gj. P. dhe P. K.
Në bazë të këtij informacioni, Avokati i Popullit ka urdhëruar kryerjen e një hetimi administrativ nga ana e Njësisë së Parandalimit të Torturës, procedure e cila është zhvilluar në datën 11.09.2098 në ambientet e Burgut Lezhës" thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit deleguar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Nga verifikimet e kryera prej specialistëve të institucionit të Avokatit të Popullit rezultoi se më datë 10.09.2009 rreth orës 13.00 i dënuari A. P., banor i godinës Nr.5 kati i tretë (seksion burgu) ka shkuar në katin e tretë të godinës Nr.1 (seksion paraburgimi), për të marrë disa sende vetjake (televizor) të cilat i kishte lënë tek një shoku i tij i quajtur E. Gj., banor i këtij kati dhoma Nr.3.
Rreth 30 minuta më vonë shtetasi A. P. së bashku me të paraburgosurin E. Gj. janë konfliktuar në korridorin e katit të tretë të paraburgimit me të paraburgosurin e këtij kati shtetasin S. Sh., banor i dhomës Nr.4.
Me ndërhyrjen e të paraburgosurve të tjerë të cilët ndodheshin rastësisht në korridor konflikti është eliminuar.
Në orën 14.00 gjatë ndërrimit të turneve punonjësi i policisë Met Vokrri, ka shkuar në godinën nr.1 të paraburgimit, kati i tretë dhe ka hapur dhomën nr.2.
Ai është futur brenda dhe ka biseduar me të paraburgosurit e kësaj dhome.
Më pas ai ka hapur edhe dhomën Nr.3 dhe ka marrë takim dhe me të paraburgosurit e kësaj dhome.
Me tej ai ka bashkuar të paraburgosurit e të dyja dhomave të mësipërme në një të vetme (Dhoma Nr.3).
Rreth orës 14.20 po punonjësi i policisë Met Vokrri ka hapur dhomën Nr.5 dhe ka kërkuar që të dalë i paraburgosuri S. Sh. me pretekstin se e kërkonin të paraburgosurit e dhomës 2 dhe 3 për të pirë kafe.
Sapo i paraburgosuri S. Sh. ka dalë nga dhoma është sulmuar befasisht nga të gjithë të paraburgosurit e dhomave 2 dhe 3.
Ai është goditur me grushte e shqelma dhe për pasojë ka shfaqur dëmtime ne disa pjesë të trupit si fytyrë, buzë, gjoks dhe shpinë.
Gjatë sulmit që po i bëhej shtetasit S. Sh., shokët e tij banor të dhomave 4 dhe 5 kanë reaguar duke bërtitur dhe duke goditur dyert e dhomave për të ndërhyrë policia ndaj këtij sulmi brutal.
Pak minuta më vonë në katin e tret të kësaj godine, kanë shkuar grupet e gatshme të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar në dhomat e izolimit forcërisht të paraburgosurit dhomave 4 dhe 5.
Ndërkohë që Avokati i Popullit ka marrë në pyetje edhe punonjësit e policisë së këtij burgu të cilët kanë dhënë versionin e tyre.
Pas analizës së ngjarjes Avokati i Popullit ka konstatuar se  në veprimtarinë e tyre gjatë shërbimit, punonjësit e policisë së burgjeve, në rastin konkret Zenel Mysliu, Veli Kala, Arben Nela, Lek Filaj dhe Met Vokrri duhet të zbatonin me rigorozitet kërkesat e parashikuara në Rregulloren e Brëndshme të Policisë së Burgjeve, e cila bën fjalë për Veprimtarinë e Policisë së Burgjeve, të parashikuar nga neni 22 i saj. Në këtë nen përcaktohet qartë detyrimi i punonjësve të policisë së burgjeve që për çdo veprim të kryer duhet të bazohen në këtë rregullore.
Duke analizuar në tërësi provat e administruara rezulton se, nga ana e punonjësve të policisë në I.E.V.Penale Lezhë, janë kryer veprime me dashje në kundërshtim me nenin 22 të Rregullores së Brendshme të Policisë Burgjeve, të cilat kanë sjellë për pasojë shkaktimin e një konflikti fizik midis të paraburgosurve.
Veprime të tilla kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e të paraburgosurve në këto ambiente, ndaj dhe masat që duhet të merren duhet të jenë në proporcion me rrezikshmërinë e lartë që paraqesin ato.
Avokati i Popullit rekomandoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të të analizojë me objektivitet këtë ngjarje dhe të fillojë procedimi për dhënie të masave disiplinore ndaj personave përgjegjës.
k.k/NOA
Â
Â