Korçë, 22 shtator NOA - Gara për kreun e Partisë Socialiste është zhvendosur sot në Korçë ku kandidatët Edi Rama dhe Maqo Lakrori kanë paraqitur platformat e tyre para anëtarësisë së partisë së këtij qyteti.
Në këtë takim kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama ka shpjeguar pjesë të platformës së tij që ka të bëjë me ndryshime statusore, por jo vetëm kaq, vendosjen e rregullave të qarta e të shkruara të funksionimit të partisë.
Po ashtu Rama dhe në këtë takim me anëtarësinë socialiste ka theksuar se PS nuk mund të legalizojë kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.
"PS, nuk mund të falë këto zgjedhje pasi kështu do të ishin të rrezikuara të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore në këtë vend" tha Rama.
Rama shpjegoi se transparenca dhe rivendosja e parimeve themelore të demokracisë janë në thelb të kushtëzimit që PS i ka bërë marrëdhënieve të saj me kuvendin.
Zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të kthehen në një skemë të mbyllur ku pushteti vendos, pavarësisht se si ka votuar populli.
"Në vitin 2009 do fillojmë të kemi prapë frikë nga njëri-tjetri se kush po na spiunon tek drejtori?!
Në vitin 2009 do fillojmë prapë të fshehim bindjet tona?!
Në asnjë mënyrë! Â
Përkundrazi sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të vendosur që t'i japim fund njëherë e mirë kësaj historie, duke i treguar me aksion konkret politik dhe demokratik, se jemi të gatshëm ta ndëshkojmë edhe publikisht dhe se nuk tërhiqemi nga asgjë dhe përpara asgjëje.
Kështu që nuk është aventurë sot të mos hysh në parlament dhe të vendosësh kushte të qarta për t'u bërë pjesë e këtij parlamenti. Aventurë është të hysh në parlament pa kushte dhe ta shesësh lirinë dhe të drejtat e tua tek Sali Berisha, tek Ilir Meta, tek Fatos Nano, te e gjithë kompania që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një rreth të mbyllur interesash që nuk kanë të bëjnë me interesat e vendit, nuk kanë të bëjnë me interesat e njerëzve" tha më tej sot në Korçë Rama.
Ndërsa kandidati tjetër në këtë garë Maqo Lakrori ka prezantuar platformën e tij, e cila gjithashtu përmban ndryshime statusore, riorganizim të së majtës u përqendrua këtë herë në bashkimin e socialistëve dhe afrimin e sa më shumë njerëzve në parti.
"Ne duke reformuar partinë, duke dhënë garanci të tilla për një objektiv të përbashkët, që i motivon të gjithë së bashku, do të kemi mundësi që të shtojmë radhët tona me socialistë të tjerë, si me ata që janë larguar, por dhe me socialistë që gjeneron vetë, që prodhon vetë situata ekonomike dhe sociale e vendit përditë. Kjo është njëra rrugë e shtimit dhe e fuqizimit të radhëve tona.
Rruga tjetër është ajo e bashkëpunimit të partisë sonë me parti të tjera të majta të vendit, pavarësisht çfarë përmasash ato kanë, mbi bazë objektivash të përbashkët dhe rregullash të përbashkëta. Kësisoj ne do të arrijmë që të realizojmë një fuqi maksimale të potencialit njerëzor dhe organizativ të majtë" tha Lakrori.
k.k/NOA
Â