English

Komisioni: Ok ndryshimeve në buxhet

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 22 shtator NOA - Qeveria është dorëzuar dhe ka pranuar efektet që ka dhënë kriza ekonomike në arkën e shtetit.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë në mungesë të opozitës, por në prani të deputetit me të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet në buxhet.

Ministri Ridvan Bode, i konfirmuar për një mandatë të dytë në krye të financave sqaroi se janë rreth 10 miliard lekë që do të rivlerësohen nga buxheti i shtetit.

"Janë rreth 8 miliard lekë që i përkasin investimeve publike, tenderat e të cilave nuk janë realizuar në kohë por ka edhe projekte që nuk janë të nevojshme të kryen brenda këtij viti të cilat do ti anulojmë.

Ndërkohë që janë edhe 1.3 miliard lekë të tjetra të cilat i kemi kursyer nga shpenzimet operative"- tha Bode në komision.

Rishikimi i buxhetit bëhet si pasojë e mos mbledhjes së taksave dhe tatimeve në nivelin e programuar në fillim të vitit.

Sipas ministrit doganat dhe pushteti lokal janë dy institucionet që kanë pasur probleme në mbledhjen e taksave.Â

Rënie të ndjeshme kanë pësuar doganat si pasojë e rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Duke folur për riskun kryesorë të ekonomisë, kursin e këmbimit, ministri pranoi se luhatja e tij ka rritur borxhin e jashtëm të vendit.

"Huan më të madhe e kemi në valutë ndaj dhe ndryshimi i kursit të këmbimit na ka sjellë një rivlerësim edhe të borxhit të jashtëm"-u shpreh Bode.

Ai kërkoi që ekspertët të bëjnë analizat dhe të mos dalin në konkluzione paraprake, pasi sipas tij kjo luhatja e kursit mund të jetë e përkohshme.

Ministri kërkoi që në buxhetin e vitit që vjen pushteti lokal duhet të rishikojë shpenzimet operative me tendencë ulje dhe të përqendrohet në realizimin në kohë të investimeve publike.

r.l/NOA

KOMENTE