English

Kryeprokurorja Ina Rama në Itali, negociata për një marrëveshje ekstradimi

Tiranë, 22 Shtator NOA - Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, Ina Rama, gjendet në Itali ku nga dje nisi një vizitë disaditore, në qendër të së cilës ka negociatat për një marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve, ende e parealizuar, megjithë premtimet e palëve.

Holta Zhiti, shefe e shtypit pranë Prokurores së Përgjithshme, i tha agjencisë së Lajmeve NOA, se gjatë takimit zhvilluar ditën e sotme me Prokurorin Grasso, diskutimi është përqendruar për gjetjen e metodave, për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve të dy vendeve, Prokurorisë Anti-mafia dhe Prokurorisë Shqiptare.

Zhiti tha se është diskutuar për çështjen konkrete të ekstradimeve, ku Kryeprokurori i Antimafias, z. Pietro Grasso premtoi angazhimin për ratifikimin nga parlamenti Italian të marrëveshjes se ekstradimit.

Ndërkohë, mësohet se është folur mes palëve edhe për çështje që janë nën hetim të përbashkët nga të dy prokuroritë, por nuk u dhanë hollësi të mëtejshme.

"Kryeprokurorja Ina Rama dhe Prokurori i Anti-mafies Italiane Grasso, diskutuan edhe për koordinim, dhe analizë të të gjitha të dhënave që kanë të dyja prokuroritë në funksion të bashkërendimit të punëve për të bëre sa më efikase luftën kundër krimit të organizuar, si në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar", - bëri të ditur Zhiti. Një tjetër vizitë e rëndësishme e Kryeprokurores Ina Rama dhe delegacionit që e shoqëron është dhe vizita pranë Prokurorisë së Përgjithshme pranë Gjykatës së Kasacionit Romë, dhe takimi me kryeprokurorin pranë kësaj Gjykate Vitaliano Esposito. Diskutimi u fokusua në të drejtën e Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e procedimit disiplinor jo vetëm ndaj prokurorëve por edhe gjyqtarëve.

Kryeprokurori i kësaj Gjykate Vitaliano Esposito shprehu gatishmërinë për vënien në dispozicion të Prokurorisë se Përgjithshme Shqiptare, të qëndrimit të unifikuara të Prokurorisë Italiane për probleme të ndryshme të procedurave penale.

Takimet vijnë në një axhendë që Kryeprokurorja Ina Rama po zhvillon në një vizitë studimore në Itali, në kuadër të projektit të binjakëzimit Italo-Spanjoll, në mbështetje të Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare,

Ina Rama shoqërohet nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në ditët në vijim axhenda ka parashikuar vizita dhe takime pranë Prokurorisë së Gjykatës së Tivolit, me kryeprokurorin, por edhe një takim në Drejtorinë e përgjithshme të Antikrimit me drejtuesin Prefetto Gratteri, si dhe vizitë në Departamentin e Policisë Shkencore dhe shërbimin Qendror Operativ të Policisë së Shtetit. Gajtë ditëve të qëndrimit në Itali Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama do të zhvillojë dhe një vizitë në Komandën e Përgjithshme të Guardia di Finanza në Romë takim me shefin e këtij reparti, gjeneralin Russo.

e.r/NOA

KOMENTE