English

Lllastiku

Të qenit në zonën e pritjes nuk mund të jetë arsyetim për mungesën e vendosmërisë që sovraniteti të ndërtohet dhe mbrohet në praktikë. Shteti i Kosovës është bërë në bazë të kompromiseve dhe me kushtëzime të caktuara, dhe Kushtetuta aktuale është ajo e Planit të Ahtisarit. Por, përderisa përcaktimet dhe formulimet e kësaj kushtetute në çështjet më jetike janë llastik, institucionet e Kosovës duhet të konsiderojnë se llastiku është në pikën më të lartë të tensionit, dhe jo një element vendnumërues dhe që ngulfat lirinë e veprimit

Nga Shkëlzen Maliqi

A do të ndodhë në sesionin e radhës të Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara, që ka filluar javën që shkoi në New York, një depërtim aq i pritur i njohjeve të reja të shtetit të Kosovës, që do të shënonte një përmbysje sinjifikative afër ose edhe mbi numrit "magjik" 100? Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka shprehur këto ditë brengosje për valën e mundshme të njohjeve, duke pranuar se Prishtina me aleatët perëndimorë ka bërë fushatë të vazhdueshme dhe se janë diku rreth 30 apo 40 shtete nën "presion" që të njohin Kosovën e pavarur. Zyrtarët serbë janë optimistë se edhe kundërfushata e tyre duhet të japë rezultate, por kjo më shumë tingëllon si propagandë e çastit. Për dallim nga herët e tjera pala kosovare nuk premton çudira, mbase edhe për arsye se barrën kryesore në këtë proces e kanë fuqitë e mëdha perëndimore, të cilat edhe kanë mundësi që të bëjnë "presione", që Jeremiç ia kishte adresuar Prishtinës, dhe jo Uashingtonit dhe Londrës, që prej kohësh dërgojnë letra dhe emisarë specialë për t'i bindur shtetet që luhaten rreth njohjes së Kosovës. Simbolika e numrit 100 është e rëndësishme sepse nënkupton se mbi 50 % të shteteve anëtare të OKB e njohin Kosovën si shtet të pavarur, dhe kjo sugjeron peshën e një fakticiteti të pakthyeshëm, Por, ky numër nuk çon me automatizëm drejt anëtarësimit të Kosovës në KB, ngase pengesa kryesore ende mbetet tek Këshilli i Sigurimit dhe Rezoluta famëkeqe 1244 dhe fuqia e Rusisë që të kërcënojë zgjidhjen e përhershme me veton bllokuese prej superfuqisë. Rendi botëror është i tillë dhe zgjidhja e përhershme e statusit të Kosovës, në kuptimin e anëtarësimit të pakushtëzuar dhe të plotë në familjen e shteteve sovrane, mund të vonojë shumë, ndoshta edhe me decenie, nëse Rusisë nuk i vonohet që të shfrytëzojë fuqinë që e ka si anëtare e përhershme e KS me të drejtën e vetos për çdo vendim. Ka projekte që duan ridefinimin e vendit dhe rolit të Këshillit të Sigurimit, që do të kishte me shumë anëtarë të përhershëm, kurse e drejta e vetos do të kufizohej, ose do të instalohej një mekanizëm i vendimmarrjes me shumicë votash. Por, ky proces është shumë i ngadalshëm dhe Kosova nuk mund të shpresojë se shpëtimi do të vinte nga ky avancim i rolit të KS. Për fat të keq, një instrument i vendimmarrjes konsensuale e ka penguar edhe Bashkimin Evropian që të arrijë unitetin e munguar në rastin e Kosovës, sepse edhe më tej "zgjidhja evropiane" për Kosovën ka mbetur nën mëshirën e pesë vendeve që, kush më ashpër e kush më butë, kundërshtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës (Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe Greqia), dhe e mbajnë pezull edhe vendimmarrjen e Brukselit. Dështimi i projekt- kushtetutës së Lisbonës, e cila parashihte që vendimmarrja aktuale konsensuale në BE të zëvendësohet me vendimmarrjen me shumicë votash dhe kuotat e ndryshme të fuqisë së votës të shteteve të mëdha dhe atyre të vogla (nuk do të mund të kushtëzoheshin vendimet jetike për BE-në me votën e vendeve të vogla si Luksemburgu, Qiproja etj.), është një moment shtesë që Kosovën e lë në këtë zonë të pritjes dhe pamundësisë që të rrumbullakojë sovranitetin. Kuptohet, të qenit në zonën e pritjes nuk mund të jetë arsyetim për mungesën e vendosmërisë që sovraniteti të ndërtohet dhe mbrohet në praktikë. Shteti i Kosovës është bërë në bazë të kompromiseve dhe me kushtëzime të caktuara, dhe Kushtetuta aktuale është ajo e Planit të Ahtisarit, por ama përderisa përcaktimet dhe formulimet e kësaj kushtetute në çështjet më jetike janë llastik, institucionet e Kosovës duhet të konsiderojnë se llastiku është në pikën më të lartë të tensionit, dhe jo një element vendnumërues dhe që ngulfat lirinë e veprimit. Këshillat e ndërkombëtarëve që thonë "veproni si të pavarur" e kanë këtë kuptim. Edhe qëndrimi i institucioneve të Kosovës ndaj EULEX-it duhet të jetë kësisoj, qëndrim i një shteti të cilin e kanë njohur fuqitë më të mëdha, pos Rusisë dhe Kinës, dhe që së shpejti do të njihet nga 100 e më shumë shtete. Në këtë qasje edhe disa vendime delikate siç ka qenë protokolli për bashkëpunimin policor të EULEX-it me Serbinë, do të mund të bëhej jo me iniciativën e misionit të Brukselit apo te Beogradit, por si një delegim i fuqisë sovrane të Prishtinës tek EULEX-i, që të rregullohen çështjet e ndjeshme të sigurisë dhe kontrabandës në zonat kufitare dhe aty ku policia e Kosovës nuk ka mundësi që t'i rregullojë gjërat pa shkaktuar konflikte. Kjo strategji nuk është thjesht manipulim dhe maskim i pafuqisë, por lëvizje në drejtimin e duhur në rrethanat objektivisht vendnumëruese. Kur sot dëgjoni Ahtisarin ose zëvendësin e tij Rohan se si e kritikojnë bashkësinë ndërkombëtare pse janë hezituese në avancimin e pavarësisë së Kosovës, këto duhet lexuar thjesht si zbardhje a posteriori, e qëllimeve të vërteta të planit Ahtisari që synonte, në fund të tregimit, realizimin e pavarësisë së plotë të Kosovës, kurse koncesionet që i janë dhënë minoritetit serb kanë qenë oferta për joshjen dhe zbutjen e kërcënimit me veto të Rusisë. Në situatën e vendnumërimit nuk ka më vend për koncesionet e mëtutjeshme ose lëshime të reja. Llastiku duhet të mbahet nën tensionin maksimal, jo në masën që shkakton konflikt, ose edhe ‘prishje' me ndërkombëtarët, por që afirmon parimet për të cilat Kosova është pajtuar që do t'i respektojë.Â

(*) Marrë nga "Express", Prishtinë

KOMENTE