English

Popovski: Enciklopedia e Shkupit, i fyen rëndë shqiptarët

"Reagimet janë të arsyeshme nëse shqiptarët janë quajtur 'shqiptari' dhe e dyta nëse për ta është thënë se janë "njerëz mali". Nëse kështu qëndron në enciklopedi, mendoj se është bërë një gabim i madh nga këshilli redaktues, pasi, shikuar në prizmin e historisë, shqiptarët në kontinuitet për të gjithë popujt tjerë njihen si 'albanci' kurse shteti i tyre amë Albania", thotë profesori Vllado Popovski në një prononcim"

Përmbajtja e enciklopedisë së parë maqedonase, në të cilën fyhen shqiptarët, ka filluar të kundërshtohet edhe nga intelektualët dhe profesorët maqedonas.

I pari që ka ngritur zërin kundër përcaktimeve denigruese të enciklopedisë për shqiptarët është Vllado Popovski, profesor në Universitetin e Shkupit.

Ai ende nuk e ka lexuar përmbajtjen e këtij botimi, por thotë se është i zemëruar me kualifikimet që jepen për shqiptarët.  "Mendoj se reagimet janë të arsyeshme nëse shqiptarët janë quajtur 'shqiptari' dhe e dyta nëse për ta është thënë se janë "njerëz mali". Nëse kështu qëndron në enciklopedi, mendoj se është bërë një gabim i madh nga këshilli redaktues, pasi, shikuar në prizmin e historisë, shqiptarët në kontinuitet për të gjithë popujt tjerë njihen si 'albanci' kurse shteti i tyre amë Albania", thotë profesori Vllado Popovski në një prononcim për Radion Evropa e Lirë. Ai nuk ka dilema kur thotë se shqiptarët janë fyer rëndë në këtë enciklopedi, pasi kualifikimet dhe përmbajtja tjetër aspak nuk kanë të bëjnë me të vërtetën historike të shqiptarëve. "Mendoj se në këtë rast bëhet fjalë për fyerje, të cilën nuk është dashur ta bëjë këshilli redaktues. Dyshoj se kjo është bërë me ose pa vetëdije, por edhe rastin e parë, edhe të dytin unë assesi nuk mund ta arsyetoj. Në këtë enciklopedi, mendoj se ndryshe është vepruar me grekët. Ata dhe shteti i tyre janë quajtur Greqi, kurse përjashtim është bërë me shqiptarët", thotë zoti Popovski, i cili njihet edhe si njëri ndër ekspertët që ka marrë pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit. "Me siguri se në rastin e tyre, pra të shqiptarëve, ka pasur një tendencë, e cila jo që nuk mund të arsyetohet, por nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën", thotë Popovski, për radion Evropa e Lirë. Ai thotë se Akademia duhet të veprojë menjëherë, duke i hequr nga enciklopedia pjesët fyese për shqiptarët. "Do të ishte mirë që ato përcaktime të hiqen nga botimi apo të riformulohen në përputhje me të vërtetën historike. Unë bëj studime të vazhdueshme për historinë e shqiptarëve, të cilën unë e kam shumë të qartë. Pasi përcaktimet e publikuara nuk janë në përputhje me të vërtetën, ato duhet të tërhiqen". "Nëse kjo nuk bëhet, apo nëse Akademia nuk kërkon falje, atëherë mendoj se reagimi duhet të jetë më i gjerë dhe izolimi i këtyre qëndrimeve duhet të gjejë më shumë vend në hapësirat maqedonase", thotë profesori universitar Vllado Popovski, duke shtuar se ky veprim i Akademisë është në kundërshtim me të kaluarën historike të dy popujve, të cilët me shekuj jetojnë në fqinjësi të mirë. Ndërkohë, lëvizja qytetare "Zgjohu", në emër të të gjitha partive politike shqiptare dhe organizatave joqeveritare, i kërkoi publikisht Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë që urgjentisht të tërheqë enciklopedinë dhe t'i kërkojë falje popullit shqiptar për fyerjet e bëra. "Kërkojmë nga Akademia e Shkencave të distancohet nga qëndrimet e akademikut Bllazhe Ristevski. Nga Qeveria e Maqedonisë kërkojmë që të tërhiqet nga mbështetja që i ka dhënë enciklopedisë dhe nëse ajo këtë nuk e bën, atëherë rrjedhimisht konstatojmë se ajo mbështet edhe akademik Bllazhe Ristevskin dhe përmbajtjen e enciklopedisë famëkeqe", deklaroi kryetari i lëvizjes qytetare "Zgjohu", Artan Grubi. Qeveria e Maqedonisë deri më tani nuk është prononcuar për përmbajtjen dhe reagimet rreth enciklopedisë. Kryeministri Nikolla Gruevski ka refuzuar t'i komentojë reagimet, duke thënë se për këtë çështje duhet pyetur akademikët.

KOMENTE