Tiranë, 22 shtator NOA - Prefekti i ri i Qarkut të Â Tiranës Keltis Kruja, zhvilloi sot një takim prezantues e informues me drejtuesit e Strukturave të Policisë së Tiranës që kanë nën juridiksion kryeqytetin.
Prefekti i Qarkut Tiranë vlerësoi punën dhe arritjet e deritanishme, për reformat e realizuara në Polici, siç janë, përmirësimi i kuadrit ligjor, aplikimi i strukturës së re dhe gradave të reja policore, aplikimi i filozofisë së policimit në komunitet, përmirësimi i kushteve të punës e shërbimit në Drejtori dhe Komisariatet e Policisë etj.
Më tej, në fjalën që mbajti Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë Tonin Vocaj, informoi Prefektin mbi gjendjen e Strukturave të Policisë, situatën e rendit dhe sigurisë publike, tendencat e kriminalitetit etj.
Gjithashtu kreu i policisë së kryeqytetit tregoi për masat e marra nga Policia për sigurinë rrugorë, për sigurinë në shkollat e të gjitha niveleve, për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe ndërhyrjet në raste emergjencave civile.
Prefekti Kruja u siguroi drejtuesve të Policisë, bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucionit të Prefektit për Policinë e Tiranës dhe kërkoi nga drejtuesit e policisë në të gjitha nivelet, të bëjnë të gjitha përpjekjet për zbatimin rigoroz të ligjit në çdo hap të punës së tyre dhe efektivave që drejtojnë, të tregojnë qytetari në komunikimin me publikun dhe paanshmëri në zgjidhjen e konflikteve, të sigurojnë bashkëpunim me institucionet qendrore në nivel vendor dhe me njësitë e qeverisjes vendore.
k.k/NOA
Â