English

PS: Gjimnazistët po mësojnë historinë që do Berisha, të hiqet libri nga shkollat

Tiranë, 22 shtator NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku në emër të PS-së ka kërkuar që të tërhiqet nga shkollat libri i Historisë 12, pasi ngjarjet në këtë histori zhvillohen në favor të Berishës.

"Sali Berisha do të vendosë sërish diktaturën në Shqipëri.

Libri i Historisë së gjimnazit këtë vit dëfton sesi studiuesit karagjozë e puthadorë të këtij diktatori po u vjedhin shqiptarëve historinë, duke i sajuar faktet e tranzicionit ashtu siç i do oreksi i sulltanit më të ri të Shqipërisë, të Nëntëdhjeteshtatës dhe Nëntëdhjetetetës, i shpërthyesit të korrupsionit vrastar të Gërdecit dhe i dhunuesit tashmë të përhershëm të lirisë zgjedhore.

Ky tekst molepsës rreket t'u mbushë mendjet gjimnazistëve se "në 2005 Sali Berisha çeli një epokë të re për vendin". Në krye të autorëve të këtij teksti është sahanlëpirësi i regjimeve, Beqir Meta, sot nëndrejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike" deklaroi Shamku.

Sipas saj, shkrimi i historisë ka kaluar nga diktati i Enver Hoxhës në diktatin e Sali Berishës, pa ndërruar shkrues, duke marrë edhe aprovimin e Ministrisë së Arsimit për të helmuar mendjet e gjimnazistëve me shpifje dhe urrejtje.

"Partia Socialiste kërkon sot tërheqjen e menjëhershme të këtij teksti të turpshëm nga tregu dhe nga të gjitha shkollat e vendit.

E jo vetëm kaq, Partia Socialiste kërkon që autorët e kësaj paçavureje të shkarkohen nga funksionet drejtuese e të kërkojnë falje publike, sikundër ndodh në botën e qytetëruar në raste të tilla flagrante, dhe këta pseudostudiues karagjozë mos lejohen më të përgatisin tekste shkollore" përfundoi Shamku.

k.k/NOA

KOMENTE