Shkup, 22 shtator, NOA - Ndërsa lëvizja "Zgjohu" e mbështetur nga thuajse të gjitha partitë politike shqiptare dhe disa insititucione e OJQ, kërkuan dje publikisht largimin e redaktorit kryesor Bllazhe Ristevski nga Akademia e Shkencave Maqedonase dhe tërheqjen e botimit të enciklopedisë maqedonase, ky i fundit as që duket se ka për ta bërë një gjë të tillë.
"Enciklopedia maqedonase paraqet fakte shkencore për shqiptarët, ndaj nuk mund të ndalohet", mësohet të ketë deklaruar akademiku Bllazhe Ristovski, redaktori kryesor i botimit që fyen historinë e shqiptarëve dhe i përshkruan ata si "njerëz mali" dhe ardhacakë në Maqedoni.
Sipas tij, "enciklopedia nuk do të tërhiqet nga qarkullimi, pavarësisht nga reagimet e ashpra nga faktori shqiptar dhe ai ndërkombëtar".
"Qëndrimi ynë është thënë në atë enciklopedi maqedonase. Ne nuk e bëmë atë që dikush ta tërheqë, por që të shërbejë si produkt shkencor nga shkenca maqedonase në tërësi dhe të shërbejë si dëshmi për Maqedoninë dikur dhe tani dhe nuk mund të mendojmë që ta tërheqim", - deklaroi Ristovski. n.e/NOA
Â