Tiranë, 22 shtator NOA - Kryeministri, Sali Berisha u prit në SHBA, ku ndodhet për të marrë pjesë në Sesionin e 64-të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një takim nga Administratorja e UNDP, Helen Clark.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha garantoi administratoren Helen Clark, se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap dhe do të garantojë suportin e duhur për ecurinë e mëtejshme të projekteve të tilla, duke theksuar se ndihma dhe koordinimi nga ana e UNDP-së do të ishte shumë e çmuar.
Një tjetër projekt për të cilin u diskutua gjatë takimit, ishte dhe ai i Eko Turizmit. Kryeministri Berisha theksoi se kjo fushë kishte njohur një rritje të paparashikuar më parë dhe se potencialet e mëdha të vendit në turizëm si bregdetar, po ashtu dhe malor, hapnin horizonte të reja për një shfrytëzim më të madh e cilësor të tyre.
Kreu i qeverisë Shqiptare kërkoi mbështetjen e UNDP për forcimin e sistemit të arsimit privat, në kuadër të një partneriteti publik e privat sa më efiçent.
Kryeministri garantoi Helen Clark se qeveria shqiptare do të bazohet në modelet më të mira botërore duke shtuar se do të mobilizojë të gjitha forcat dhe risurset e saj në mbështetje të këtyre projekteve dhe se ndihma dhe mbështetja e UNDP do të ishte shumë e rëndësishme.
Në këtë kuadër Administratorja e UNDP Helen Clark shprehu mbështetjen e saj dhe të UNDP për këto projekte kaq të rëndësishme të cilat do të shfrytëzojnë më së miri potencialet njerëzore, intelektuale dhe ekonomike të Shqipërisë.
k.k/NOA