English

Topi në KLD: Reformat në gjyqësor kanë nevojë për bashkëpunimin e politikës

Tiranë, 22 shtator, NOA - Realizimi i reformave në sistemin gjyqësor paraqet një nevojë të madhe të bashkëpunimit të forcave politike mes tyre. Një fakt të tillë, presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka theksuar gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku përmendi ndër të tjera nevojën e prononcimit të partive politike për detyrimin qytetar të reformimit të këtij sektori.

"Të rrisim efiçencën e gjyqësorit, pasi ai është një sektor mjaft kompleks. Dhe për ta realizuar një gjë të tillë, duhet përkushtim i të gjithë aktorëve të interesuar", ka theksuar kreu i shtetit.

Sipas tij, sektori i gjyqësorit duhet të rrisë performancën e tij dhe për ta realizuar këtë duhet të eliminohen patjetër handikapët në gjykata.

"Kemi patur mundësi të riorganizojmë gjykatat në rang kombëtar dhe të ketë një përqasje me ligjin organik për funksionimin e gjyqësorit. Në kuadër të kësaj, do t'i hapim rrugë edhe lëvizjes së gjyqtarëve, jo vetëm plotësimit të vendeve vakante siç bëhet zakonisht", tha më pas Presidenti i Republikës.

Por në fjalën e tij, kreu i shtetit ka folur edhe për projektin e ngritjes së Gjykatës Administrative, e cila sipas tij ka një sensibilitet të shtuar nga politika apo njerëzit që merren me biznes, por edhe vetë gjykatat që e kanë barrë të merren me çështje jopenale, pa lidhje direkte me krimin dhe trafiqet.

Në fund të fjalës së tij, presidenti i Republikës theksoi se reformimi i gjyqësorit qëndron në thelb të procesit të integrimit dhe për këtë duhet treguar sa më shumë kujdes dhe efiçencë në përmbylljen e tij.

"Duhet ta fitojmë betejën me krimin në çdo lloj niveli dhe me çdo kusht. Vetëm kështu do të jemi të qetë para qytetarëve se kemi dhënë drejtësi", përfundoi Topi.

n.e/NOA

Â

KOMENTE