English

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare reagon mbi falimentimin e Aspis që ka blerë Interalbanian në Shqipëri

Tiranë, 23 Shtator, 2009 - Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare deklaroi sot se ka ndjekur zhvillimet e fundit në tregun Grek të sigurimeve në lidhje me revokimin e licensës së disa shoqërive Greke të sigurimit.

Duke marrë shkas nga prania e interesave të tyre në tregun shqiptar të sigurimeve, AMF sqaroi se tregu shqiptar i sigurimeve paraqitet në gjendje të shëndoshë financiare dhe nuk pasqyron pasojat e vërejtura në vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe Greqinë.

Kurse shpjegoi se shoqëritë shqiptare të sigurimeve janë të mirë-kapitalizuara: "Kapitali minimal për çdo shoqëri është 370 milionë lekë (rreth 3 milionë euro), në nivelin e kërkuar nga direktivat e BE-së, i investuar tërësisht në depozita në sektorin bankar shqiptar dhe në bono thesari të Qeverisë Shqiptare.

Ky kapital garantohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe mund të preket nga shoqëria e sigurimit vetëm me autorizim të tij.

Përveç kapitalit, shoqëritë e sigurimit disponojnë asete të tjera shtesë të mjaftueshme, kryesisht likuide, për mbulim optimal, në përputhje me legjislacionin, të përgjegjësive të krijuara nga aktiviteti i tyre.

Asetet në mbulim të përgjegjësive i nënshtrohen një monitorimi rigoroz dhe të vazhdueshëm nga ana e AMF-së.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duke u nisur nga këto fakte, tha se problemet e evidentuara në shoqëritë e grupit ASPIS nuk rezulton të kenë cënuar gjendjen financiare të shoqërisë Interalbanian dhe aktivitetin e saj të kryer në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar.

"Monitorimi dhe analiza e treguesve financiarë dhe teknikë më të fundit paraqesin qëndrueshmëri dhe rritje për këtë shoqëri, në linjë me zhvillimet pozitive të tregut të sigurimeve në vend", - tha AMF.

Ndërkohë ajo sqaroi se shoqëria Aspis Holding, një shoqëri Qipriote e listuar në bursën e Qipros, kontrollon 51% të shoqërisë shqiptare Interalbanian, kurse rreth 42% të aksioneve të Aspis Holding kontrollohen nga shoqëritë greke të Grupit Aspis, dhe pjesa tjetër nga individë dhe publiku investues.

Shoqëritë shqiptare të sigurimeve janë subjekte të krijuara në Shqipëri si shoqëri aksionere më vete në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe të mbikëqyrura në vazhdimësi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Kuadri ligjor shqiptar siguron mbrojtje substanciale për shoqëritë vendase të sigurimeve dhe konsumatorët.

Aktiviteti i shoqërive të sigurimit është i përqendruar në shumicë dërrmuese në territorin shqiptar, dhe i fokusuar në produktet tradicionale, afatshkurtra, të sigurimit të jo-jetës dhe jetës.

"Tregu shqiptar i sigurimeve nuk ofron produkte afatgjata apo të komplikuara financiare që lidhen me skema investimi apo transferimi të riskut, që kanë përbërë dhe thelbin e krizës financiare botërore", - u shpreh Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

e.r/NOA

KOMENTE