English

Berat, policia merr nën hetim për shpërdorim detyre Drejtorin e Shërbimit Pyjor

Berat, 23 Shtator NOA - Drejtori i Shërbimit Pyjor të qarkut Berat është vënë nën hetim nga sektori kundër krimit ekonomik dhe financiar të policisë vendore, nën dyshimet për shpërdorim detyre.

Burimet policore bënë të ditur se ka nisur zyrtarisht hetimi për Sabri Zykën, me detyrë drejtor i Pyjeve të qarkut Berat.

Sipas hetimeve të para, ka dyshime se Zyka ka fshehur një numër kontrollesh të inspektorëve në varësi të tij për abuzim me prerjen e druve pyjorë të zonës.

Mësohet se për Zykën rëndon dyshimi se në të paktën pesë kontrolle të kryera nga inspektorët e Pyjeve, të gjetura me shkelje nga disa persona dhe biznese që merren me prodhimin dhe përpunimin e drurit, nuk i janë kaluar organit të Prokurorisë së Rrethit për hetim penal.

Bëhet fjalë për prerjen në mënyrë të paligjshme të disa hapësirave pyjore me masivë pishash, duke sjellë dëm ekologjik në zonë dhe përfitim të pandershëm për abuzuesit.

Në këto kushte, pas zbulimit në rrugë operative të faktit, Sabri Zyka është marrë si i pandehur në prokurori dhe i është komunikuar akuza e "shpërdorimit të detyrës", akuzë për të cilën ai do të ndiqet në gjendje të lirë, thuhet në një njoftim të bërë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat.

/e.r/k.b/NOA/

KOMENTE