English

Berisha, "dush të ftohtë" presidentit të FYROM: Enciklopedia, falsifikim dhe qëndrim absurd

Nju Jork, 23 Shtator NOA - Kryeministri Sali Berisha, "dush të ftohtë", presidentit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), George Ivanov, në Nju Jork të SHBA lidhur me enciklopedinë që denigron origjinën e shqiptarëve.

Në takimin që Berisha pati me Ivanovin, është pozicionuar për herë të parë mbi skandalin e enciklopedisë që i konsideron shqiptarët banditë të ardhur nga mali dhe Nënë Terezën (Gonxhe Bojaxhiun" një vllehe dhe jo shqiptare.

Kryeministri theksoi se publikimi se fundmi, nga ana e Akademisë Maqedonase, i një enciklopedie është një qëndrim absurd dhe i papranueshëm.

"Duke qenë se Akademia është një institucion zyrtar i Republikës së Maqedonisë, ndërhyrja e autoriteteve të lartë maqedonase me një qëndrim të qartë ndaj këtij problemi do të ishte e domosdoshme, për faktin se askush nuk mund të ndërtojë identitet bazuar mbi falsifikim të historisë", - i deklaroi Berisha Ivanovit, duke i kërkuar në këtë mënyrë që të urdhërojë daljen jashtë qarkullimi i enciklopedisë famëkeqe.

"Lidhur me këtë çështje, Presidenti Ivanov tha se, sapo të kthehej në Shkup, do përpiqet të ndikojë në këtë çështje.", - i tha agjencisë së lajmeve NOA, një burim i kryeministrit në SHBA.

***

Takimi mes Berishës dhe Ivanovit u krye sot gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Zyra e shtypit të Berishës tha se gjatë bisedës, veç argumentit mbi enciklopedinë, të dy personalitetet rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore ndërmjet të dy vendeve, si dhe vendosmërinë e palëve për t'i forcuar e zgjeruar ato dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat edhe më tej, në të ardhmen.

Kryeministri e njohu Presidentin me vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të kompletuar lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe i bëri me dije se rruga e Arbrit, që po ndërtohet nga qeveria shqiptare, shkurton distancën me Shkupin rreth 100 km.

Integrimi evropian është një tjetër fushë ku mund të rritet bashkëpunimi dhe Maqedonia është e gatshme t'i ofrojë Shqipërisë përvojën, në veçanti për sa i përket përgatitjeve për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE. Duke e përgëzuar Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Presidenti Ivanov u shpreh se vend i tij ndihet shumë krenar për këtë arritje të popullit fqinj e mik shqiptar.

e.r/NOA

KOMENTE