Nju Jork, 23 Shtator, NOA - Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha mori pjesë përkrah liderëve botërorë në hapjen e Samitit mbi Ndryshimin e Klimës që zhvillon punimet në SHBA.
Duke përfituar nga fakti se në selinë e OKB ishin një mori me kryetarë shtetesh, Berisha nuk ka lënë t'i ikë rasti pa takuar syresh, shumë prej tyre e t'u flasë për Shqipërinë dhe t'i ftojë ata të vizitojnë vendin e shqiponjave.
Këtë e pohoi edhe zyra për shtyp e kryeministrit e cila i tha agjencisë NOA se "Kryeministri Sali Berisha ftoi liderët botërorë të vizitojnë Shqipërinë si dhe u shprehu atyre gatishmërinë për një intensifikim të marrëdhënieve me vendet e tyre si në rrafshin politik ashtu dhe në atë ekonomik".
***
Gjatë seancës së samitit, platenë e përshëndeti President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Pas ceremonisë, në kuadër të Samitit të Ndryshimit të Klimës, Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare dhe pasdite mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive, të cilët diskutuan gjerësisht mbi këtë temë kaq shqetësuese për mbarë botën.
Ndërkohë më herët, Kryeministri, u takua me liderë botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtarë, pjesëmarrës në sesionin e 64-të të Asamblesë së OKB-së, në Nju Jork.
Z. Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, me Presidentin e Kinës Hujintao si dhe me disa homologë të tij, Kryeministrin e Japonisë, Hotajama, Kryeministrin e Kuvajtit, Kryeministrin e Australisë, Kryeministrin e Zelandës së Re.
Gjithashtu ai u takua edhe me Presidentin e Austrisë, me Presidentin e Finlandës dhe disa personalitete të tjerë, të pranishëm në Samit.
Zyra për shtyp e kabinetit qeveritar tha se gjatë bisedës me drejtuesit e shteteve, Berisha ka diskutuar dhe shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në BE. Por në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare.
e.r/NOA