English

Edi Rama: Çfarë më detyron që të refuzoj ende, hyrjen e PS në Parlament

Tiranë, 23 Shtator NOA Update - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte mbrëmjen e së martës në kryeqytet, ku në Akademinë e Arteve të Bukura, u zhvillua debati me bazën, mes tij dhe kandidatit tjetër për kreun e PS, Maqo Lakrori.

Fillimisht Rama kujtoi faktin sipas tij se "e zhvillojmë këtë debat në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku kemi marrë një fitore historike dhe ku PS fitoi me avantazhin më të thellë, në sajë të angazhimit të gjithëve ju në sallë dhe ata jo të pranishëm, qofshin si anëtarë të PS, drejtues apo deputetë".

Në vijim të kësaj, Rama tha se "fitorja e merituar jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë, u grabit përmes një mekanizmi që bëri njësh shtetin me pushtetin dhe shtetin e të gjithëve e vuri në dispozicion të disave. Duke bërë që ne të jemi në garë jo me një palë tjetër, jo me një alternativë tjetër, por me shtetin e tërë të kthyer në makineri që ushtroi presion të paligjshëm, konstant, deri në fund ndaj çdo qytetari e qytetareje, që mundi të mbërrij për të kushtëzuar vullnetin e lirë dhe për të kërkuar votën për pushtetin dhe Sali Berishën".

Rama kërkoi këtu, që "të marrë një herë e mirë fund tradita e zgjedhjeve ku bëhet çfarëdo qoftë me kutitë, me emigrantët, me listat, me emrat, me mbiemrat dhe me procesverbalet dhe ku nuk ka problem, sepse mjafton që njerëzit të bien dakord në qendrën e votimit dhe historia mbyllet aty, sepse kutitë nuk hapen më".

Në këtë pikë, Rama ka shtruar pyetjen: "Çfarë mund të presim ne në zgjedhjet e ardhshme, kur këto zgjedhje të shkuara i quajmë kapitull të mbyllur?".

Kreu socialist është ndalur më pas tek çështja e bojkotit parlamentar, duke shtruar sërish një pyetje: "Në cilin parlament të hyjmë ne?"

Duke dhënë edhe përgjigjen: "Në parlamentin që ka lindur nga këto palo-zgjedhje, pasi na është shkelur dhe mohuar e drejta dhe garancia fundore, në parlamentin ku Sali Berisha ka refuzuar t'i përgjigjet 42 interpelancave të kërkuara nga deputetët e opozitës në 4 vitet e shkuara. Në parlamentin ku Berisha, me Metën e Nanon e të tjerë, na kërkojnë atje, për çfarë, thjesht për të thënë se jemi në pozicione të kundërta, por demokracia funksionon".

Duke mbyllur këtë argument, Rama siguroi se PS nuk ka ndërmend të bëhet kukull e planit të mazhorancës: "Sigurisht, ju keni mendimin tuaj dhe ne tonin. Flisni sa të doni, por rrini këtu".

Duke theksuar se "zgjedhjet e 28 qershorit janë vjedhur", Rama ka shtuar se "qëndrimi i PS-së ndaj Parlamentit është i palëkundur, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri".

Gjithsesi, ai pohoi se "ne jemi gati të hyjmë në Parlament nëse na jepet e drejta të hetojmë lidhur me transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit", tha Rama.

Këtu, ai ka sqaruar dhe pozicionin e partisë që drejton: "Me këto kërkesa Partia Socialiste nuk kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, por të dalë në dritë ajo që qëndron akoma në errësirën e kutive të votimit".

e.r/NOA -

Lexoni më shumë mbi argumentin:

Lakrori: PS humbi më 28 Qershor, të përgatisim qeveri hije dhe zgjedhjet e parakohshme

Edi Rama: Çfarë më detyron që të refuzoj ende, hyrjen e PS në Parlament

Kryetari i PS, takim në Tiranë me anëtarësinë: Pse detyrohemi të bojkotojmë Kuvendin

Gara për kreun e PS-së, kandidatët përballen në Korçë, Rama: Nuk i falim zgjedhjet

Bojkoti, PS: Nuk mjafton ftesa ambulante e Berishës duhet të na plotësojë kushtet

PS, insiston: Do të jemi në Parlament vetëm kur të na garantohet hetimi i kutive të votimit

KOMENTE