Nga Blerina Ahmetaj
Tiranë, 22 Shtator NOA - Ndryshe nga çfarë kishin deklaruar specialistët e ministrisë së Shëndetësisë, këtë vit nuk do të vaksinohen me vaksinën e gripit të zakonshëm, fëmijët e të moshuarit të cilësuara si grupe të rriskut që sëmuren më shpesh dhe rëndë nga epidemitë e gripit.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve NOA, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli tregon se shkak është mungesa e fondeve nga ministria e Shëndetësisë. Sipas tij, në strategjinë e vaksinimit që ka hartuar ISHP është menduar që vitin e ardhshëm mund të përfitojnë kategoritë e cilësuara si prioritare.
Për më shumë ndiqni intervistën:
Keni menduar që në planin e ri të vaksinimit për gripin e zakonshëm të përfshini dhe 2 grupe të cilësuara si të rriskuara nga ju, fëmijët dhe të moshuarit. Kur do nisë vaksinimi?
Është e vërtetë që në strategjinë e vaksinimit për gripin stinor parashikohen disa grupe rrisku.
Më duhet të them se ende Shqipëria nuk bën pjesë te vendet që kanë sisteme shëndetësore të cilat ofrojnë falas vaksinën për këto grupe.
Megjithatë ne jemi duke negociuar që të fillojmë mbulimin falas vitin tjetër për këto grupe.
Por aktualisht ne jemi në fazën që i bëjmë thirrje publikut për të marrë vaksinën në treg, pra i bëjmë thirrje publikut të përdorë mjetet e veta financiare sepse kjo është një kosto efektive.
Dua të heq keqkuptimet e konfuzionet në këtë pikë, pasi bëhet fjalë për vaksinën e gripit sezonal e jo vaksinën e gripit të derrit, kjo e dyta pritet të dalë në treg dhe sapo të dalë do të mbulohet nga shteti.
Çfarë dëmesh i shkakton sistemit shëndetësor epidemia e gripit gjatë vitit?
Epidemia e gripit çdo vit shkakton jo vetëm stres për sistemin shëndetësor, jo vetëm kosto financiare por dhe kosto ekonomike për shoqërinë.
Është e vështirë të dish shifrat e sakta të numrit të të prekurve por mund t'u them me përafërsi se çdo vit, 5 - 10 për qind e popullatës preket nga gripi.
Nga kalkulimet që bëmë vjet pamë se rreth 12 mijë raste paraqiteshin çdo javë me infeksione respiratore akute, një pjesë e madhe e të cilave të shkaktuara nga gripi. Por mund të themi se nga gripi humbasin shumë ditë pune, vihet në stres sistemi shëndetësor, kërkohen medikamente dhe shtretër.
Ndaj themi se është kosto efektive të kryhet vaksinimi.
Ekzistojnë disa grupe të cilat janë në rrisk më të lartë për te pësuar sëmundje të rëndë dhe për të vdekur nga gripi sezonal.
Pikërisht këto grupe janë përfshirë në strategjinë e vaksinimit.
Këto grupe ndryshojnë nga grupet prioritare nga gripi pandemik.
Do ta marrin falas këto grupe vaksinën këtë vit?
Më duhet të them se jo.
Nuk besoj se këtë vit do të jetë gati sistemi për të ofruar falas për asnjë nga këto grupe. Siç kemi bërë çdo vit ne do të përpiqemi të sigurojmë sasi të vogla falas për grupe në vështirësi financiare qoftë duke siguruar fonde, qoftë me ndihma nga kompanitë farmaceutike.
Ndërsa për punonjësit shëndetësorë, i cilësuar si grup rrisku, vaksina e gripit stinor do të mundësohet me fondet e ministrisë së Shëndetësisë.
Sa është fondi që do t'i duhej shtetit për mbulimin falas të vaksinës së gripit stinor?
Mund t'ju them vetëm se jemi duke negociuar për një sasi prej një milion dollarësh që do të jetë një fillim i mirë për një pjesë të grupeve por jo për të gjithë grupet.
Mbulimi falas i gjithë kategorive të cilësuara si në rrisk nga gripi, do të kushtonte 5 deri në 6 milionë dollarë amerikanë.
/b.a/e.r/NOA/