Tiranë, 23 shtator NOA - Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28-qershorit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka dhënë pothuajse çdo ditë deklarata me anë të së cilës i bën thirrje qeverisë të hapë kutitë për të verifikuar ç'ndodhi më 28 qershor.
Por deklaratat e Ramës kanë pasuar edhe me shumë të tjera të deputetëve të Partisë Socialiste të cilat kanë pasur të njëjtin subjekt.
Kështu ditën e sotme një prej socialistëve, Damjan Gjiknuri ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka vazhduar Odisenë e hapjes së kutive të votimit.
"Alibia se kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi ka vendim gjykate, është një përpjekje tinëzare për të fshehur të vërtetën që ndodhet në këto kuti
Partia Socialiste përfiton nga rasti t'i kthehet edhe njëherë kushtit themelor të marrëdhënieve të kushtëzuara me Kuvendin, atë të hapjes së kutive problematike zgjedhore" tha Gjiknuri.
Sipas deputetit Gjiknuri, PS nuk po kërkon rinumërim apo rishikim të vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve.
Këto vendime kanë marrë formë të prerë, dhe komisioni hetimor nuk është rruga ligjore për t'i shfuqizuar.
"Duam të bëjmë me dije se, Komisioni nuk do të zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve.
Ajo çka kërkohet është brenda kuadrit kushtetues e ligjor që ka një komision hetimor, duke e veshur këtë me argumentet që ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese:
"Qëllimi i ngritjes se komisioneve hetimore është për te njohur dhe verifikuar ne thellësi një fenomen, një ngjarje, një veprimtari, me synimin qe ne përputhje me realitetin, te nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit ose korrigjimit te ligjeve te veçanta............ apo të kontrollohet zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e qeverisjes dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qellim parandalimin dhe eliminimin e fenomeneve negative, si dhe përmirësimin e gjendjes ne te ardhmen" (Vendim GJK 2003)" shtoi më tej socialisti Gjiknuri.
"Pra, në themel ajo që ne kërkojmë është të hedhim dritë, të hetojmë, që do të thotë të administrojmë të gjitha materialet zgjedhore që janë në kuti, si lista zgjedhësish, procesverbale apo edhe fletët e votimit, të cilat janë dokumente zyrtare dhe që nuk mbrohen me ndonjë ligj si sekret shtetëror.
Si rrjedhim nuk ka asnjë rrethanë ligjore që të pengojë marrjen e çdo informacioni që do të kërkojë kuvendi qoftë ky i mbyllur edhe në kutitë e votimit.
Politika duhet të kuptojë se nëse do të lipset nevoja për një reformë ligjore për zgjedhjet apo qoftë edhe korrigjim të pjesshëm të praktikës, ajo duhet të fillojë me analizën e procesit që kaluam, përfshirë edhe hetimin parlamentar për shkeljet e pretenduara.
Një mazhorancë legjitime dhe e bindur në pastërtinë e zgjedhjeve do të kishte interes e para, në pastrimin e ndërgjegjes së saj duke i krijuar mundësi opozitës të hedhë dritë mbi gjithçka që ka një interes publik ne lidhje me zgjedhjet" përfundoi Damjan Gjiknuri.
k.k/NOA