English

Hetime për kompaninë Aspis në Greqi, një milionë qytetarë humbën siguracionet

Nga Robert Goro*

Athinë, 23 Shtator - Në Greqi rreth një milion qytetarë kanë humbur siguracionet e tyre pasi pesë kompanive të sigurimeve iu hoq liçensa.

Sipas vendimit të komisionit të mbikëqyrjes së siguracioneve private, liçencat u hoqën për shkak se këto kompani nuk iu përgjigjën detyrimit të tyre për të paraqitur garancitë e nevojshme të kredibilitetit financiar.

Bëhet fjalë për katër kompani që ndodheshin nën kupolën e Aspis Pronia, një nga grupet më të mëdha në vend, si dhe për kompaninë tjetër të sigurimeve, Shkurtis.

Të pesë këto subjekte, sipas burimeve zyrtare, kontrollonin rreth 13% të tregut në sektorin e siguracioneve.

Sipas të njëjtave burime, ky ishte një zhvillim i pritshëm, pasi kompanitë kishin paraqitur vitin e fundit dobësi në shlyerjen e detyrimeve ndaj klientëve, kryesisht atyre që kishin siguruar automjetet.

Ndaj presidentit të grupit Aspis kanë filluar hetimet, pasi letra e garancisë bankare me vlerë 550 milionë euro që ishte paraqitur, rezultoi e falsifikuar.

Presidenti insiston se letra e garancisë është e vlefshme dhe se ai do të paraqesë prova për ta vërtetuar këtë.

Heqja e liçencën së Aspis Pronia u cilësua nga analistët financiarë si një shok, aq më tepër në kushtet e krizës ekonomike që ka përfshirë dhe Greqinë.

Rreth 700 punonjës humbën brenda një çasti vendet e punës, ndërsa në një pozitë pa rrugëdalje ndodhen edhe rreth 3000 agjentë dhe këshilltarë siguraconesh që punonin për kompanitë e Aspis-it.

Punonjësit protestuan para selisë së kompanisë, duke mbajtur për disa orë të bllokuar njërën prej rrugëve qendrore të Athinës.

Ata shprehën indinjatën e tyre për mbylljen e kompanisë, e cila tre muajt e fundit nuk u kishte paguar rrogat dhe as kompensimin e lejes së zakonshme.

"Kam 16 vjet në këtë kompani. I kemi dhënë shumë dhe besonim se do të jepnim akoma më shumë. Për fat të keq nuk mundëm. Sot ishte dita më e hidhur e jetës sime", tha një mesoburrë.

"Na nxori jashtë përmbarimi. Erdhëm dhe i gjetëm dyert të vulosura me dyllë. Përse? Çfarë borxhi kemi ne? Nga do t'i marrim paratë tona", tha me zemërim një tjetër punonjëse e kompanisë Aspis.

Një milion klientëve u mbetën kontratat në dorë

Problemi më i madh duket se ka të bëjë me klientët.

Sipas burimeve zyrtare, me kompanitë në fjalë, kryesisht me ato të Aspis-it, ishin lidhur më shumë se një milion kontrata, nga të cilat 860 mijë për automjete dhe 160 mijë kontrata për sigurimin e jetës.

Mes klientëve vlerësohet se ka edhe shumë emigrantë shqiptarë.

Shefi i sektorit të automjeteve në unionin e kompanive siguruese të Greqisë, Kostas Bercias, thotë se meqenëse shumica dërrmuese e kontratave ishin për sigurim automjeti, ndër klientët pritet që të ketë edhe shumë emigrantë shqiptarë.

Sipas tij, sigurimi për automjetet, dhe vetëm për dëmet ndaj të tretëve, do të mbulohet nga fondi ndihmës i Unionit të kompanive të sigurimeve.

Ky fond i mbulon klientët edhe për një muaj.

Përderisa liçensat u hoqën më 21 shtator, mbulimi do të bëhet deri më 21 tetor.

Pas kësaj date, klientët duhet të kërkojnë sa më shpejt një kompani të re për t'u siguruar.

Në rastet kur përdoruesi i automjetit e ka fajin vetë për dëmet në makinën e tij, siguracioni nga fondi ndihmës nuk i mbulon dot këto dëme.

Nëse kontrata e tyre kishte të bënte edhe me siguracionin për dëmet nga zjarri, apo në raste vjedhjesh, këto sot nuk ekzistojnë", sqaron eksperti grek.

Përsa u përket siguracioneve të jetës, që vlerësohen në rreth 160 mijë kontrata, ministria e ekonomisë, deklaroi të martën se paketat e tyre do t'u kalojnë kompanive ekzistuese.

Sipas një ligji që ka dalë kohët e fundit dhe do të zbatohet tani për herë të parë, në rastet kur falimentojnë kompani të sigurimit të jetës, ministria e ekonomisë emëron një mbikëqyrës, i cili kryen pagesat nga buxheti i shtetit deri në momentin që përfundon transferimi i siguracioneve në kompani tjetër.

Ç'përfaqëson kompania Aspis?

Deri para dy ditësh, Aspis Pronia përfaqësonte një nga kompanitë lider në fushën e siguracioneve në Greqi.

E krijuar 65 vjet më parë, ajo në dy dekadat e fundit evoluoi në një grup kompanish, me influencë të ndjeshme në tregun financiar grek, por edhe me investime të rëndësishme në Qipro, Suedi dhe Gjermani.

Aspis krijoi dhe bankën me të njëjtin emër, ku sot posedon 19,7% të aksioneve.

Banka, ndërkaq, bëri të ditur se nuk ka asnjë pasojë nga falimentimi i Aspis Pronia.

Në fillim të vitit 2007, Aspis Grup bleu 51% të aksioneve të kompanisë shqiptare të sigurimeve, Interalbanian.

Në njoftimin përkatës të palës greke në atë kohë thuhej se kjo lëvizje "inkuadrohet në strategjinë e Aspis Grup, për t'u bërë fuqi dominante në sektorin e sigurimeve dhe atë bankar, në Ballkan dhe më gjerë në Evropën Lindore".

(*) BBC - Athinë

KOMENTE