English

Instituti Alb-Shkenca reagon mbi botim e ulët të Akademisë së Shkencave të FYROM-it

Tiranë, 23 Shtator - NOA - Instituti Alb-Shkenca, strukturë akademike dhe shkencore që bashkon në gjirin e vet shkencëtarë e studiues shqiptarë nga e gjithë bota, mbështetur në reagimet e qindra anëtarëve të vet, me rastin e daljes nga shtypi të librit Enciklopedia maqedonase, botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të FYROM-it (ASHAM), jep këtë

Instituti Alb-Shkenca tha sot se pritej që Enciklopedia maqedonase të ishte një vepër bashkëkohore, enciklopedi e shekullit XXI, me koncepte, metodologji e terminologji kritike shkencore të paqortueshme.

"Me keqardhje e indinjatë të thellë vërejmë në të, ndërkaq, të meta të rënda e të pafalshme, të cilat shfaqen (I) si orientim i përgjithshëm negativ, (II) si shtrembërim i fakteve të pakontestueshme historike dhe (III) si mospërfillje e plotë e një numri të madh syresh", - Instituti Alb-Shkenca.

"Të lidhura të gjitha këto ekskluzivisht deformimin flagrant të trashëgimisë shumëshekullore dhe të realitetit historik, politik, shoqëror, kulturor e shpirtëror të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë", - vlerëson Instituti Alb-Shkenca.

Më poshtë, lexoni deklaratën e plotë:

I. Karakteri denigrues

Shqiptarët, popullsi autoktone dhe paqedashëse në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, bashkështetas të hartuesve të Enciklopedisë maqedonase, etiketohen e cilësohen në të si ‘zullumqarë‘, ‘kolonizues', ‘shkaktarë çrregullirash'. A kanë harruar kaq shpejt akademikët sllavo-maqedonas se rikthimi i tezave të këtilla nacional-mitike në ish-Jugosllavi ka qenë burim për konflikte të përgjakshme?

Historiografia sllavo-maqedonase thotë se në shtetin e sotëm politik të Maqedonisë jeton vetëm një e treta e popullit maqedonas, sepse dy të tretat e tjera ndodhen në Bullgari dhe Greqi, ndërkohë kjo kur mijëra maqedonas kanë marrë me dëshirën e tyre shtetësinë bullgare dhe Greqia kundërshton me forcë përdorimin e emrit Maqedoni për arsye të pretendimeve të tilla. Ndërkaq, shqiptarët, të cilët u ndihën sllavo-maqedonasve ta ndërtojnë shtetin e pavarur me ta e edhe në trojet e veta, marrin si shpërblim ‘mirënjohës' të kësaj përkrahjeje monedhën skandaloze të radhës: ‘Enciklopedinë'.

Kjo ‘Enciklopedi' provon se një pjesë e anëtarësisë së ASHAM-it si dhe e elitës shkencore maqedonase në përgjithësi akoma nuk ka hequr dorë prej paragjykimit e gjykimit shovinist ndaj shqiptarëve dhe se nuk është në gjendje që faktografinë historike ta shohë me sy të kthjellët shkencor, përderisa shqiptarët, fqinjët kryesorë të tyre dhe popullin shtet-formues bashkë me ta vazhdon t'i konsiderojë "qenë endacakë" (nomadski skoti) "që kanë ladruar nëpër stepat e Ballkanit", siç thoshin ideologët e këtyre pikëpamjeve, historiani Mallkov ose gjuhëtari Selishçev e të tjerë, të cilët duket qartazi që kanë shërbyer si frymëzues të hartuesve të librit në fjalë.

II. Shtrembërimi i fakteve

Hartuesit dhe redaktuesit e ‘Enciklopedisë maqedonase' në lidhje me shqiptarët në vend që ta thonë fjalën e tyre shkencërisht të argumentuar dhe bindëse merren me krijimin e gojëdhënave dhe të legjendave false, të cilat nuk përkojnë me të vërtetën historike dhe nxisin tensionet ndëretnike në një shtet që ndodhet në një udhëkryq historik.

Se shqiptarët, përkundër pikëpamjeve të shprehura në Enciklopedinë maqedonase, historikisht kanë jetuar në këto troje ku jetojnë edhe sot, dëshmojnë fakte të panumërta.

Shkrime të shumta provojnë që ka pasur dyndje dhe lëvizje të popullsisë sllave, përfshirë atë maqedone, në brendësi të tokave të banuara nga shqiptarët. Dëshmitë e vetë maqedonasve argumentojnë se ka pasur popullzim të tokave shqiptare me popullsi sllave. Të këtilla kanë ndodhur përgjatë shekullit XIX dhe sidomos në shekullin XX, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Thuhet se shqiptarët janë vendosur në trojet e Maqedonisë së sotme Perëndimore pas shekullit XVI, përgjatë shekullit XVIII dhe sidomos pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës (1822). Dokumentacioni historik, veçanërisht ai osman, i rrëzon kryekreje si të pavërteta këto pretendime të paraqitura në ‘Enciklopedinë' në fjalë.

Përveç kësaj të gjitha dokumentacionet arkeologjike e historike, të dhënat etnologjike, gjuhësore, folklorike, etno-muzikologjike flasin se shqiptarët e Maqedonisë janë autoktonë në trojet e tyre. Ata nuk krijojnë ndonjë oaz të izoluar nga pjesa tjetër e kombit, nuk janë të shkëputur prej tij, por janë pjesë përbërëse dhe në vazhdimësi e popullit shqiptar që jeton në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nga Saraji i Shkupit deri në Tetovë nuk ka ngulmime maqedonase, kurse nëpër fushën e Pollogut (midis Tetovës dhe Gostivarit), në fushat e Shkupit e të Kumanovës, deri edhe në ato të Strugës, Kërçovës e Dibrës ekzistojnë disa fshatra maqedonase. Dihet mirë se kur, nga cilët dhe për çfarë qëllimi janë formuar këto fshatra, përkatësisht në fillimet e shekullit XX nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene si dhe Jugosllavia nën udhëheqjen e Titos me synim ndryshimin e balancave demografike në territore të banuara kryesisht nga shqiptarë.

III. ‘Harresat' dhe shpërfillja e fakteve

Ndër shumë të tjera:

Akademikët sllavo-maqedonas ‘kanë harruar' se 8 vjet pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, më 1830 valiu i Manastirit ekzekutoi në Manastir 500 krerë shqiptarë - udhëheqës të kryengritjeve kundërosmane, një pjesë e të cilave të zhvilluara pikërisht në hapësirat e sotme të Maqedonisë Perëndimore. Këtë masakër e ka shënuar edhe kënga maqedonase.

Akademikët sllavo-maqedonas ‘kanë harruar' se 14 vjet pas kësaj masakre u zhvillua kryengritja tjetër, ajo e Dervish Carës në Derven të Shkupit e në Pollog të Tetovës dhe të Gostivarit, si dhe ajo e Maleve të Dibrës që përfunduan me ndëshkimin e Hajredin Pashës më 1844. Edhe këto beteja i ka kënduar kënga maqedonase. Çudi pse akademikët e ASHAM-it nuk i kanë përfillur këto fakte të historiografisë së tyre!

Akademikët e ASHAM-it ‘kanë harruar' të pyesin për popullsinë ortodokse shqiptare të Manastirit e të Ohrit: çfarë u bë me këtë popullsi? Nën trysninë e aparaturës shtetërore dhe fetare (të kishës maqedonase) u shkrinë në maqedonas apo u shpërngulën diku dhe, nëse janë shpërngulur, ku shkuan?

Akademikët sllavo-maqedonas ‘kanë harruar' apo nuk dëshirojnë t'i përgjigjen pyetjes pse banorët e Rekës së Gostivarit i quajnë "rekanci" (të Rekës) dhe gjuhën e tyre "rekanski" (rekane) dhe jo respektivisht shqiptarë e shqipe? Sepse këtyre banorëve për 100 vjetët e fundit u janë dërguar priftërinj dhe mësues sllavë! E nëqoftëse ndonjë mësues shqiptar i emëruar nga qeveria të punojë nëpër shkolla, ka qëlluar t'u flasë në shqip, ai është burgosur, pasi u ka folur fëmijëve në gjuhën e nënës!

Akademikët sllavo-maqedonas ‘kanë harruar' apo nuk dëshirojnë t'i përgjigjen pyetjes pse shteti maqedonas për 50-60 vitet e fundit i ka mbushur qytetet (Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër e Strugë) me popullsi sllave të sjellë nga zonat e Lindjes (Strumicë, Dellçevë, Shtip) e nga zona të tjera.

Akademikët sllavo-maqedonas ‘i kanë harruar' apo më mirë shpërfillur ngjarjet tragjike, me përgjegjës shtetin jugosllavo-maqedonas, i cili, përkundër dukurisë së lartpërmendur, shqiptarët dhe popullsinë josllave të Manastirit, Prilepit, Ohrit, Kërçovës, Strugës, Dibrës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kumanovës me të gjitha mënyrat e mundshme i ka shtrënguar të shpërngulen në Turqi, duke i detyruar të heqin dorë nga shtetësia dhe të lënë pas gjithçka kishin të tyren. Për këto shkelje flagrante të të drejtave më elementare akademikët e ASHAM-it asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin dhe as që kanë bërë përpjekjen më të vogël t'i trajtojnë ato qoftë dhe përciptazi, e aq më pak t'i vëzhgojnë me sy kritik. Përkundrazi, ‘Enciklopedia' provon edhe njëherë aprovimin e Akademisë së sotme për ato veprime të padrejta në kurriz të shqiptarëve.

***

Libri Enciklopedia maqedonase është një botim në kundërshtim me rrjedhat e përgjithshme integruese evropiane dhe botërore dhe frymën e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë mes popujve.

Ndjenja e urrejtjes, e përjashtimit dhe e mosvlerësimit të shqiptarëve, që për vite me radhë është ushqyer nga akademikët sllavo-maqedonas, ka ndikuar drejtpërdrejt në shtrembërimin e plotë të historiografisë dhe të së vërtetës shkencore.

Duke shtrembëruar të vërteta të patjetërsueshme ky libër fyen dijen shkencore si dhe ngjall e nxit urrejtjen ndëretnike shqiptare-maqedonase.

Duke i shpallur shqiptarët - botërisht të njohur si autoktonë në të gjithë hapësirën ku jetojnë sot - si kolonizues trojesh të të tjerëve ai nënçmon dhe ofendon rëndë jo vetëm ndjenjat kombëtare të shqiptarëve të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, por ato të të gjithë kombit shqiptar.

Kjo mënyrë e shkrimit të historisë mund të emërtohet vetëm si antishkencore, promovuese e mashtrimit dhe një shprehje e qartë e racizmit të pastër etniko-kulturor.

"Librat kanë fatin e tyre" - thotë një shprehje latine. Fati i librit Enciklopedia e Maqedonisë - fat i keq ky - është shkruar tashmë!

Në përfundim, Instituti Alb-Shkenca u kërkon autoriteteve përkatëse të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë të marrin masat e nevojshme që një libër i tillë, i cili duke shtrembëruar në mënyrë skandaloze të vërtetën dhe faktet historike cënon në mënyrë të qenësishme marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve e maqedonasve dhe rendin publik në këtë shtet, të mos lejohet të qarkullojë, ndërsa autorët e tij të vihen para përgjegjësisë.

Instituti Alb-Shkenca: Tiranë - Prishtinë -Â Shkup - Nju Jork - Londër - Bruksel - Paris -

Strasburg - Berlin - Toronto - Romë - Madrid - Vjenë - Tokio, më 23 shtator 2009

KOMENTE