Tiranë, 23 Shtator NOA - Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, i bëri sot apel opozitës të zërë vendet e saj në Kuvend, duke shprehur gatishmërinë e mazhorancës për të shqyrtuar me respekt të gjitha pretendimet e saj.
Në një prononcim për mediat Patozi tha se dëshironte të garantonte Partinë Socialiste se "ftesa jonë për rikthimin e tyre në parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze".
Ne e duam opozitën në parlament për të zhvilluar një debat normal politik në sallën e institucionit më të rëndësishëm të shtetit, vazhdoi Patozi, duke shtuar:
"Ne duam që Partia Socialiste të zërë vendet e saj në Kuvend për të vijuar pa u ndalur reformat e mëdha integruese, për të cilat vendi ka nevojë jetike. Por mbi të gjitha ne duam që bashkë me opozitën të shqyrtojmë dhe trajtojmë me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të OSBEE-ODIHR-it".
Sipas Patozit, kjo ka qenë një praktikë që është aplikuar me shumë sukses në legjislaturën e kaluar, "kur ne miratuam ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral, që na çoi drejt zgjedhjeve të 28 qershorit".
Këtu Patozi premtoi se "ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të hapur për të shqyrtuar të gjitha pretendimet dhe kërkesat e tjera të Partisë Socialiste, me kushtin e vetëm, që ato të jenë në respekt dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit".
Ndërkohë Patozi deklaroi se nesër parlamenti do të shqyrtojë ndryshimet në buxhetin e shtetit dhe shprehu keqardhjen që PS nuk do te marre pjese në atë debat.
"Është një nga rastet që konsiderohen të arta për opozitën, pasi një opozitë serioze mezi pret të vijë diskutimi për qeverinë dhe për buxhetin e shtetit për të shprehur të gjithë rezervat dhe kontestimet e saj për ekzekutivin dhe për mazhorancën në përgjithësi", - vuri në dukje Patozi.
"Për fat të keq, - shtoi ai, - Partia Socialiste nuk po e shfrytëzon këtë shans. Ajo nuk do të jete e pranishme në sallën e Kuvendit".
/e.l/e.r/NOA/