Nju Jork, 23 shtator, NOA - Kryeministri Sali Berisha i cili mori pjesë dje në hapjen e Samitit mbi Ndryshimin e Klimës në SHBA, u takua me liderë botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, pjesëmarrës në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Bëhet e ditur nga burime zyrtare për NOA-n, se Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, me presidentin e Kinës Hujintao, si dhe me disa homologë të tij, kryeministrin e Japonisë, Hotajama, kryeministrin e Kuvajtit, kryeministrin e Australisë, kryeministrin e Zelandës së Re. Gjithashtu, kryeministri u takua edhe me presidentin e Austrisë, me presidentin e Finlandës dhe disa personalitete te tjera, të pranishëm në Samit.
Gjatë bisedës me ta u diskutua dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në BE, sikundër në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha ftoi liderët botërorë të vizitojnë Shqipërinë si dhe u shprehu atyre gatishmërinë për një intensifikim të marrëdhënieve me vendet e tyre si në rrafshin politik ashtu dhe në atë ekonomik.
n.e/NOA