"Logjika e Thaçit qëllimisht i vendos përkrah kundërshtimin e protokollit që vjen nga Kosova me atë që vjen nga Serbia, pikërisht për t'i lënë ato në nivelin e formës së pastër, duke i zhveshur tërësisht nga përmbajtja. Nëse e ndjekim këtë logjikë, vetë Hashim Thaçi është pajtuar shumë herë me Koshtunicën"
Nga Glauk Konjufca
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, javën e shkuar i hyri një aventure të konkludimit deduktiv, e cila i përket fushës së logjikës formale. Këtë përpjekje logjike që të shkulë së qeshuri, ai e bëri nga Kaçaniku: në pyetjen se çka mendonte për demonstratën e qytetarëve të Kosovës kundër protokollit EULEX-Serbi, tha se nuk është mirë të gjendemi në të njëjtën anë me Koshtunicën, i cili po e kundërshtonte protokollin, ashtu siç e kundërshtoi edhe Hashim Thaçi pak përpara se t'ia zgjasnin veshët Feith-i, Dell-i, Solana dhe të tjerë zyrtarë nga vendet e Kuintit.
Ato pak orë sa i rezistoi trysnisë sa për sy e faqe, edhe ai pajtohej me Koshtunicën, por kur ky presion u rrit dhe filloi të përmendej edhe dorëheqja e tij nga pushteti, sa hap e mbyll sytë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe organizatat tjera të shoqërisë civile e zunë vendin e të keqes së vendit, meqë ishin ato tash që ishin në të njëjtin tabor strategjik me armikun tonë, Koshtunicën.
Në këtë mënyrë, kryeministri po harronte se duke logjikuar kështu, ai po tregonte se vetë ishte pajtuar me Ivica Daqiçin, Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe trashëgimtar i SPS-it të Slobodan Milosheviqit, meqë MUP-i ishte ai që e nënshkroi protokollin me EULEX-in.
Logjika e Thaçit qëllimisht i vendos përkrah kundërshtimin e protokollit që vjen nga Kosova me atë që vjen nga Serbia, pikërisht për t'i lënë ato në nivelin e formës së pastër, duke i zhveshur tërësisht nga përmbajtja.
Nëse e ndjekim këtë logjikë, vetë Hashim Thaçi është pajtuar shumë herë me Koshtunicën. P.sh. që të dy janë kundër ndarjes së Kosovës. Por le t'i lëmë këto shqyrtime elementare logjike, të cilat kryeministri është dashur t'i përfundojë vite më parë kur ka shkuar në shkollën e mesme. Është kohë e humbur tashmë, kohë që nuk kthehet.
Kryeministri u përpiq t'i paraqiste dy qëndrime të njëjta në formë që janë fundamentalisht të kundërta në përmbajtje. VETËVENDOSJE!-a e dëshiron krejt Kosovën. Krejt Kosovën e dëshiron edhe Koshtunica. Kurse Thaçi e Tadiqi nuk janë të tillë.
Tadiqi e dëshiron Kosovën gjysmë serbe - gjysmë shqiptare. Ashtu e dëshiron edhe Thaçi. Dhe, zaten, kjo po ndodh. Enklavat dhe pjesa veriore e Kosovës, strukturat paralele administrative, arsimore, shëndetësore, policore të kontrolluara nga Beogradi, të cilat punojnë me ligje dhe direktiva të Serbisë, e kanë bekimin e Thaçit dhe të Sejdiut.
Por, kushedi, ndoshta edhe vetë Koshtunica është sikur Thaçi. Mbase është politikan makiavelist dhe jo nacionalist parimor.
Në fillim Thaçi e pat kundërshtuar Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut, ashtu siç e pat kundërshtuar edhe Koshtunica, por që të dy e paten pranuar më pas - njëri duke hyrë në institucione të ngritura nga Korniza Kushtetuese e tjetri duke e njohur UNMIK-un si autoritet, me të cilin nënshkruante marrëveshje bashkëpunimi ministri i atëhershëm për Kosovën (Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovë), Nebojsha Çoviç.
Sa ishte në opozitë Hashim Thaçi kundërshtonte decentralizimin, kurse sot është në krye të tij. Në anën tjetër, Koshtunica ishte ai që sa herë vinte në shprehje arsyetimi mbi statusin e Kosovës, rregullisht i referohej Rezolutës 1244, të cilës i referohet edhe vetë
Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë, dhe nën ombrellën e të cilës vepron EULEX-i. Koshtunica kritikon sepse dëshiron të vijë në pushtet. Thaçi propagandon sepse dëshiron të mbetet në pushtet.
Por, si kosHtunica ashtu edhe Tadiqi janë nacionalistë hegjemonikë: pak ka rëndësi nëse luftojnë për krejt Kosovën apo për gjysmën e saj - e rëndësishme është që luftojnë për zgjerimin e Serbisë.
Kurse Thaçi e Sejdiu po e udhëheqin një proces, kurorëzimi eventual i të cilit do të rezultonte me zvogëlimin e Kosovës. Decentralizimi etnik do të na e krijojë edhe një situatë veriore në Anamoravë.
Kosova po shkon drejt ndarjes së brendshme si territor, si sistem politik e juridik, si strukturë e policisë dhe si prani ndërkombëtare (UNMIK/EULEX-ICO). Â
Është gjynah i madh ta shohësh kryeministrin me gafa të tillë logjikë, në kohën kur është i rrethuar nga e gjithë ajo suitë filozofësh sa për dukje.