Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 23 Shtator NOA - Kompania celulare Eagle Mobile ka ndërmarrë një hap tjetër drejt përgjegjësisë sociale, duke shpërndarë 20 bursa studimi për fëmijët jetimë.
Disa prej tyre i përkasin policëve të vrarë. Eagle Mobile do të  mbulojë të gjitha shpenzimet dhe mbështetja e kompanisë do të jetë 3 deri në 4 vjet në varësi të institucioneve arsimore.
Dhjetë prej fëmijëve do të studiojnë në kolegjet më të mira në vend ndërsa 10 të tjerët do të ndjekin studimet e tyre në universitetet private në Tiranë.
Këtë projekt e kanë mbështetur edhe 24 biznese të tjera. "Këta fëmijë vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe mbajnë mbi supe histori të dhimbshme. Ata janë përzgjedhur në bashkëpunim me shoqatat më serioze të jetimeve në vend - u shpreh Ali Taskin, drejtori i përgjithshëm i Eagle Mobile.
Drejtuesit e kompanisë u shprehen se ky nuk do të jetë projekti i vetëm në kë të fushë. Shumë prej kompanive që kanë mbështetur këtë projekt kanë ndihmuar edhe me ushqime.
***
Në ceremoni ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i EM Ali Taskin, Zonja e Parë Teuta TOPI, deputetja e PS Valentina Leskaj, Zv. Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale Marjeta Zaçe, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, Drejtoresha e ISKSH-së znj. Elvana Hana, përfaqësuesja e Ambasadës dhe Sekretarja e Parë e Ambasadës Turke në Tiranë Turke Asli Umar, Drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë Ilir Çumani, etj.
Për komunitetin
Eagle Mobile, kompania që filloi një projekt shumë domethënës dhe të rëndësishëm për fëmijët jetimë, kërkoi dhe mbështetjen e 24 bizneseve të tjera që operojnë në fusha të ndryshme në tregun shqiptar, duke demonstruar në opinionin publik rëndësinë e kësaj pjese të komunitetit.
Përveç mbështetjes për jetimët shqiptarë lidhur me mundësitë e punësimit, kompania ka finalizuar një pjesë të rëndësishme të këtij projekti, që ka të bëjë me edukimin e 20 fëmijëve dhe të rinjve jetimë në shkolla të mesme dhe të larta.Â
Dhjetë prej këtyre fëmijëve do të studiojnë në kolegjet më të mira në vend, ndërsa 10 të rinj të tjerë do të ndjekin studimet e tyre në disa nga universitet private më të njohura në Shqipëri. "Këta fëmijë vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe të mbajnë mbi supe histori të ndryshme të dhimbshme. Këta fëmijë që kanë një jetë të suksesshme shkollore, janë përzgjedhur nga Eagle Mobile në bashkëpunim me shoqatat më me zë dhe më serioze në vend, që veprojnë në fushën e përgjegjësisë sociale. Disa prej këtyre fëmijëve janë bijtë dhe bijat e oficerëve të policisë të vrarë në krye të detyrës, dhe Eagle Mobile ka menduar se këta njerëz duhen përkrahur. Ata do të kenë mundësi të studiojnë në shkollat më të mira, përfaqësuesit e lartë të të cilëve janë të pranishëm në këtë ceremoni, dhe unë gjej momentin për t'i falënderuar ata për përkrahjen," është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Ali Taskin. "Eagle Mobile do të mbulojë të gjitha shpenzimet, si akomodimin apo shpenzimet e tjera për veshjen. këto bursa do të zgjasin për 3 ose 4 vjet, në varësi të institucioneve përkatëse arsimore dhe të suksesit të këtyre nxënësve", tha ai.
Z. Taskin shtoi se ky projekt nuk është as i pari e as i fundit për Eagle Mobile. "Rreth 100 jetimë patën mundësi të shijojnë momentet e paharrueshme më 20 maj, në Ditën e Fëmijëve Jetimë, në Kompleksin Taivan në Tiranë, ndërsa 10 fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës u dërguan në Stamboll më 1 Qershor. Ata u pritën nga Z. Ahmet Çalik, Presidenti i Çalik Group në rezidencën e tij në Stamboll. Në fakt, iniciativa e kompanisë sonë është mbështetur nga 24 kompani të tjera, të cilat vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre në fushat përkatëse ku operojnë, në kuadër të këtij projekti të iniciuar nga Eagle" tha z. Taskin. Disa prej kompanive kanë dhënë mbështetje në ndihma ushqimore. Disa prej tyre ndihmuan në aktivitetet sociale, ndërsa të tjera në sektorin e Shëndetësisë. Nisma u përkrah edhe nga Dhomat e Tregtisë, ku EM është anëtar. Ata përpiqen të rrisin ndjeshmërinë e opinionit publik mbi iniciativa të tilla ", ka përfunduar Drejtori i Përgjithshëm i EM. r.l/e.r/NOA