English

Zv/kryeministri Meta takohet me personalitete të larta në SHBA

Nju Jork, 23 shtator, NOA - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, zhvilloi takime të veçanta me homologun e Belgjikës, Yves Leterne, atë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed Bin Rashed Al Maktoum dhe zv/ministrin e Punëve të Jashtme të Panamasë, Meliton Arrocha.

Gjatë takimit me homologun belg, Yves Leterne, u diskutuan çështje që lidhen me integrimin europnan të vendit, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Nga ana e tij, Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe njëkohësisht i kërkoi bashkëbiseduesit mbështetjen e Belgjikës për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Europian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit.

Pasi vlerësoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri dhe raportin pozitiv të OSBE/ODIHR-it për to, ministri i Jashtëm belg konfirmoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, Leterne u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit të Komisionit Europian dhe shprehu besimin në përmbushjen e shpejtë të tyre nga pala shqiptare, çka do të sillte një reagim pozitiv për këtë qëllim.

Ndërsa në takimet me homologët e tij të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Panamasë, biseda u përqendrua kryesisht në zhvillimet në rajonet respektive dhe në intensifimkimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në bashkëpunimin në kuadrin e organizatave ndërkombëtare.

Gjithashtu, zv/kryeministri Meta i falënderoi bashkëbiseduesit për mbështetjen që këto vende i kanë dhënë shtetit të pavarur të Kosovës.

n.e/NOA

KOMENTE