English

Zyrtari evropian: Shumica në PE, janë pro heqjes së vizave

Prishtinë, 23 Shtator NOA - Zyrtarja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën gjendet në Prishtinë, ku deklaroi se në institucionin legjislativ evropian nuk ka ndonjë zë kundër heqjes së vizave për shtetasit që ende vuajnë një regjim të tillë.

Këto komente, Lunacek i bëri pasi u takua sot me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pasi në Kosovë po zhvillon një axhendë bisedimesh, bashkë me një delegacion europarlamentarësh.

Në takim, Krasniqi ka kërkuar mbështetjen e Parlamentit Evropian për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe inkurajimin e pesë vendeve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Me këtë rast, Lunacek tha se shumica e deputetëve në Parlamentin Evropian e mbështet përfshirjen e të gjitha vendeve të Evropës në liberalizimin e vizave, por rikujtoi se Kosova nuk është njohur ende nga pesë vende të BE-së, ndërkohë që edhe teknikisht, si tha ajo, duhet t'i përmbushë kriteret e parapara për t'u përfshirë në këtë proces. Lanacek i premtoi Krasniqit bashkëpunim ndërmjet Parlamentit Evropian dhe atij të Kosovës, citohet nga radio Evropa e Lirë.

a.b/NOA

KOMENTE