Tiranë, 24 shtator NOA - Policia Rrugore e Tiranës, ka vijuar aksionin e saj kundër shkelësve të qarkullimit rrugor duke gjobitur 1751 shoferë.
Prej më se dy javësh policia rrugore e kryeqytetit ka ndërmarrë një aksion për të gjobitur drejtuesit e mjeteve që shkelin kodin rrugor.
Kështu pavarësisht se shoferët janë vënë në dijeni të aksionit nga policia e kryeqytetit e cila ka bërë çdo ditë thirrje publike që ata të jenë më të ndërgjegjshëm, sërish numri i shkelësve nuk ka ndryshuar por madje është rritur.
"Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë edhe ditën e sotme ka organizuar një fushatë sensibilizimi me synim uljen e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Kështu, sot drejtues të Policisë së Tiranës, shërbimet e Policisë Rrugore, Patrulla e Përgjithshme u angazhuan duke përcjellë mesazhe dhe fletë palosje sensibilizuese në rrugën e Kavajës, në kryqëzimin e Shkollës Teknologjike e shtrirë deri në Unazën e Re. Kjo fushatë sensibilizuese, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, përkrah masave të marra për ndëshkimin e të gjithë kundravajtëse në fushën e qarkullimit rrugor" bëri të ditur sot policia e Tiranës. "Drejtuesve të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës, ju shpërndanë fletë palosje lidhur me shpejtësinë (neni 139) i Kodit Rrugor, Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit (neni 184), Parkimet e gabuara (nenet 155, 156, 157) të Kodit Rrugor, me anë të cilave Policia e Tiranës u ka kërkuar bashkëpunim për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor" shtoi më tej policia e kryeqytetit. Gjithashtu, Policia e Tiranës, po ndërmerr masa lidhur me shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga kundravajtjet administrative, kështu vetëm ditën e djeshme në Tiranë janë pezulluar 46 leje qarkullimi të mjetit, drejtuesve të mjeteve deri në shlyerjen e masës administrative të vendosur ndaj tyre.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit policia ka vendosur 1751 gjoba me vlerë 1. 750 530 lekë dhe ka pezulluar 19 leje drejtimi.
k.k/NOA
Â