English

Aksidenti në Tiranë, identifikohen 4 të plagosurit, 2 vajza e 2 djem grek, kapet shoferi turk

Tiranë, 24 shtator NOA/ Update - Identifikohen katër të rinjtë që u plagosën në orët e para të ditës së sotme në fillim të rrugës "Myslym Shyri" në Tiranë.

Burime nga policia thanë për Agjencinë e Lajmeve NOA se të plagosurit rëndë janë katër të rinj dy vajza dhe dy djem të cilët janë shtetas grek.

Aksidenti ndodhi në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë dhe policia zyrtarisht tha se Enis Yayla, 30 vjeçar, lindur në Stamboll dhe banues në Tiranë ka qenë duke drejtuar mjetin e tij të markës "BMW", tip "X5", me targa TR 9500 P.

Aksidenti ndodhi në çastin kur makina që i drejtohej bulevardit qendror, po dilte nga rruga "Myslym Shyri" dhe u përplas me një nga pemët e trotuarit.

Si rezultat i përplasjes së fortë që dyshohet se u nxit nga shpejtësia e lartë me të cilën ecte makina, u shkaktua plagosja rëndë e katër prej personave që gjendeshin në makinë, dhe lëndimi i një të pesti.

Nga hetimet e para, policia beson se aksidenti erdhi në momentin kur drejtuesja e mjetit po përpiqej të shmangte një pusetë ku nuk kishte shenjë paralajmëruese (sinjalistikë rrugore) por një copë betoni, ndaj ka devijuar rrugën nga blloku i betonit, më pas është përplasur me një pemë.

Si pasojë janë aksidentuar pasagjerët e mjetit, Elisa Mjekra, 25 vjeçe, Olta Mjekra, 21 vjeçe, si dhe shtetasit grekë Iannis Karathanasis, 27 vjeç dhe Dhionis Marinos, 37 vjeç, lindur dhe banues në Greqi, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i përbërë nga ekspertë, u kryen të gjitha veprimet hetimore e proçeduriale, ndërsa materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të turkut 30-vjeçar i cili akuzohet për veprat penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" dhe të "Drejtimit të mjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi".

k.k/NOA

KOMENTE