Tiranë, 24 shtator NOA - U prezantohet policëve se ishte koleg i tyre, por arrestohet pasi posedonte një sërë dokumentesh false.
Gjatë orëve të vona të mbrëmshme, specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar, kryen arrestimin në flagrancë të 22-vjecarit Marsel Dhroso, lindur dhe banues në Pogradec. Sipas policisë arrestimi i tij u krye pasi në afërsi të kryqëzimit të "21 Dhjetori" u kap me disa dokumente të llojeve të ndryshme si, pasaporta për jashtë shtetit, fletë të printuara nga faqja e Interpolit, vërtetime Gjykate dhe Prokurorie, fotokopje pasaportash dhe dëshmie për drejtim automjeti etj.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se në momentin që është kapur nga shërbimet e policisë, pogradecari është prezantuar si punonjës policie duke i thënë atyre ta lënë të qetë pasi ishte koleg i tyre.
Por kjo nuk ka penguar forcat e policisë të ushtrojnë një kontroll mbi "kolegun" i cili u duk qartë se përdori titullin polic për të kamufluar shkeljet e ligjit.
Sipas policisë nga hetimet e kryera rezultoi se i riu ka mashtruar edhe një shtetas, duke i vjedhur me anë të mashtrimit një shumë parash prej 35 000 lekësh si dhe dy pasaporta, me qëllim se do t'i nxirrte viza për në Amerikë. Materialet e përpiluara në ngarkim të tij, do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Mashtrimit", dhe të "Përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore".
k.k/NOA