English

Berisha takohet me Presidentin Obama, shqyrtohet një vizitë zyrtare në Shqipëri

Nju Jork, 24 Shtator NOA Update - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në pritjen e dhënë nga Presidenti amerikan Barack Obama për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive, të cilët marrin pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo pritje u zhvillua në orën 19.00 të mbrëmjes në Metropolitan Museum of Arts.

Gjatë kësaj pritje, Kryeministri Berisha pati rastin të zhvillonte një takim të shkurtër me Presidentin Obama dhe zonjën Obama.

Zyra për shtyp e Kryeministrit, citoi sot se Berisha i shprehu Presidentit Obama kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë pritje dhe për takimin e ngrohtë me Presidentin Obama.

Nga ana e tij, Presidenti Obama e përshëndeti përzemërsisht Kryeministrin Berisha dhe u shpreh se në Cikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ta mbresat më të mira.

Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të Presidentit Obama në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme për axhendën e tij.

"Ju, zoti President do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim,"- u shpreh Kryeministri Berisha.

Presidenti Obama tha se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri.

Zonja Mishel Obama gjithashtu u shpreh se ajo e priti me shumë kënaqësi këtë ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe se nga ana e saj do të nxiste bashkëshortin e saj që ta bënte këtë.

Në këtë pritje të shtruar nga Presidenti Obama dhe që zgjati rreth 2 orë, Kryeministri Berisha u takua sërish me Kryeministrin e Japonisë, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e falënderoi atë për mbështetjen e Japonisë në fusha të ndryshme si ne arsim, në bujqësi, shëndetësi, infrastrukturë etj.. Kryeministri Berisha e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë, ftesë që u pranua me kënaqësi.

/e.r/NOA/

KOMENTE