Gjirokastër, 24 shtator NOA- Nisi sot në mbrëmje në qytetin e gurtë, Festivali Folklorik i Gjirokastrës i cili këtë vit shënon edicionin e IX të tij.
Kjo veprimtari, nga më të rëndësishmet e këtij lloji në vendin tonë, synon mbrojtjen dhe përurimin e vlerave më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore.
Në edicionin e sivjetshëm janë përfshirë 12 qarqe të vendit si dhe grupe nga Kosova, Maqedonia ,Mali i Zi, arbëreshët e Italisë, arvanitasit.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Shtetit shqiptar, Qeverisë si dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.
Qyteti i gurtë priti me një sërë veprimtarish festive artistët pjesëmarrës,duke filluar nga sheshi qendror i qytetit, duke vazhduar më tej në lagjet historike ku u inaguruan dhe disa nga banesat e restauruara në Qendrën Historike të qytetit.
Në fjalën e hapjes së edicionit të sivjetshëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferri ndër të tjera theksoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare, transmetimi dhe konservimi i saj nga brezi në brez ka qenë dhe mbetet një prioritet themelor i politikave kulturore që ndjek MTKRS dhe qeveria Berisha.
Juria e Festivalit është e përbërë nga personalitete të njohura të kulturës sonë Kombëtare si:
Miaser Dibra, Zef Coba, Rexhep Celiku,Vasil S. Tole, Rexhep Munishi, Lajla Agolli.
Pas njohjes me rregulloren e funksionimit të jurisë dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo rregullore,anëtarët e jurisë pas një votimi të fshehtë zgjodhën me shumicë votash si kryetar të kësaj jurie akademikun Vasil S.Tole.
Â