Gjirokastër, 24 shtator NOA - Operacioni i koduar "Era e Jugut" i organizuar nga Policia e Gjirokastrës është finalizuar sot me sekuestrimin e 888 rrënjë Kanabis Sativa.
Në orët e para të ditës së sotme Specialistët dhe Agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se në lagjen Kordhocë të Komunës Lazarat të rrethit Gjirokastër në vendin e quajtur kodrat e Spilos, se ka të mbjella bimë narkotike Kanabis Sativa, zhvilluan një operacion ku si rezultat i këtij operacioni u evidentuan dhe u shkatërruan dy parcela të hapura rishtas në mes të pishave të kultivuara me bimë narkotike Kanabis Sativa, ku në parcelën e parë kishte 178 rrënjë dhe në parcelën e dytë kishte 250 rrënjë, të cilat varionin nga 2 metra deri në 3 metra lartësi.
Gjithsej 428 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa.
Bimët janë asgjësuar me anë të djegies dhe disa prej tyre janë marrë në cilësinë e provës materiale.
Në momentin që policia ka shkuar për të shkatërruar këto bimë në këto parcela nuk është gjetur njeri, por specialistët e antidrogës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe provave materiale të gjetura kanë identifikuar autorin dhe është bërë shpallja në kërkim e tij.
Operacioni ka vijuar edhe në Komunën Cepo të rrethit Gjirokastër, në vendin e quajtur Bregu i Shumë në Skotini, ku janë evidentuar edhe aty dy parcela të hapura rishtas të kultivuar me bimë narkotike, ku në çdo parcele kishe nga 230 rrënjë bimë narkotike, të cilat varionin nga 2.5 metra deri në 3.5 metra të larta.
Gjithsej 460 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa.
Bimët janë asgjësuar me anë të djegies dhe disa prej tyre janë marrë në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër po punojnë për të identifikuar autorin dhe kapjen e tij
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale të "Kultivimit të bimëve narkotike".
k.k/NOA