"Leku për Shqipërinë ka qenë është dhe do të mbetet një monedhë e suksesshme. Është monedha që shërben si spirancë për të gjithë iniciativat tona evropiane. Në 17 vitet e fundit leku ka ditur t'i bëjë ballë presioneve inflacioniste dhe presioneve të tregjeve të huaja. Leku duhet lënë i qetë. Ai duhet të lëvizë i lirshëm në udhën e tij në përputhje me kërkesën dhe ofertën. Leku është ikona e ekonomisë shqiptare e cila do të na shoqërojë deri në portat Evropiane. Ftoj median, ta mirëkuptoj këtë mesazh dhe ta përcjellë atë në publik".
Nga Ardian Fullani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë*
Kriza financiare globale tronditi rëndë gjithë ekonomitë e zhvilluara. Ajo natyrisht që u ndje edhe në vendet në zhvillim të Evropës Jug-Lindore, ku bëjnë pjesë të dy vendet tona. Kontraktimi i aktivitetit ekonomik botëror, reduktimi i tregtisë ndërkombëtare, rritja e primeve të rrezikut, ndërprerja e funksionimit të sistemit të kredisë dhe rendja drejt likuiditetit natyrisht që dhanë ndikim edhe në ekonomitë tona. Këto ekonomi mbeten të lidhura ngushtë me ekonominë e Eurozonës nëpërmjet shumë kanalesh, tregtare e financiare.
Një çështje me rëndësi primare në trajtimin e krizës është dhe reagimi i politikave fiskale dhe monetare përballë kësaj krize; një çështje kjo që do të elaborohet nga miku ynë.
Megjithatë, do të dëshiroja të ndalesha shkurtimisht në një aspekt të kuadrit makroekonomik dhe institucional i cili ka qenë një përcaktues i rëndësishëm i shkallës së përhapjes dhe reagimit të autoriteteve kombëtare ndaj krizave: regjimi i kursit të këmbimit.
Një lexim i shpejtë i zhvillimeve aktuale në rajon dhe më gjerë të mundëson një konkluzion se vendet me regjim të fiksuar të kursit të këmbimit kanë patur një ndikim proporcionalisht më të lartë nga kriza botërore.
Gjithashtu, ata kanë qenë më të kufizuar në mundësitë e tyre për reagime të mundshme të tyre.
Në të kundërt, vendet me regjim fleksibël të kursit të këmbimit kanë patur një ndikim më të butë dhe kanë ruajtur një pavarësi më të lartë të politikave të tyre ekonomike për zbutjen e efekteve të krizës.
Natyrisht që kjo nuk është e rastësishme: regjimi fleksibël i kursit të këmbimit është një investim i rëndësishëm politik, ekonomik dhe institucional i vendeve në zhvillim.
Sakrificat e tyre për ndërtimin e politikave të besueshme monetare e fiskale, për forcimin e besimit të publikut në monedhat dhe institucionet financiare kombëtare, shpërblehen me fleksibilitetin që i jep ky regjim politikave makroekonomike në përballimin e krizave.
Mekanizmi i luhatjes së kursit të këmbimit është pikërisht një mekanizëm që i lejon ekonomisë të absorbojë goditjet e ndryshme.
Regjimi fleksibël i kursit të këmbimit, i aplikuar me besnikëri nga Banka e Shqipërisë, mundëson përballimin e këtyre goditjeve me kosto minimale për ekonominë shqiptare.
Le ta lëmë këtë mekanizëm të veprojë i qetë, pa reagime të tepruara të tregut dhe të agjentëve tij. Çdo lëvizje e qetë drejt ekuilibrit e kursit të këmbimit do të jetë në interes të ekonomisë shqiptare.
Të gjitha reagimet e nxituara afatshkurtra, siç është demonstruar disa herë gjatë këtij viti dhe më së afërti gjatë ditëve të para të kësaj jave, kanë kosto financiare individuale për ata që i ndërmarrin dhe kosto financiare për ekonominë.
Asnjë agjent ekonomik nuk është më i fortë se fondamentet. Volatiliteti i lartë dhe pasiguria në tregun valutor nuk kanë asnjë bazë reale.
Euroizimi i ekonomisë është ide vizionare, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin, përderisa aspirata finale e tij është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ajo ndërgjegjëson tregun vendas, rajonal por njëkohësisht edhe autoritetet evropiane për përshpejtimin e proceseve të konvergjencës.
Megjithatë, konvergjenca në eurozonë është derivat i reformave të vazhdueshme strukturore dhe i forcimit të sistemeve financiare, ku një rol të rëndësishëm ka dhe qëndrueshmëria e monedhës.
S'ka integrim evropian pa një ekuilibër afatgjatë të monedhës kombëtare me atë evropiane.
Në një horizont afatgjatë, kursi i këmbimit do të reflektojë detyrimisht bazat dhe fondamentet e ekonomisë sonë, të cilat janë dhe mbeten të shëndetshme. Ekuilibrat e arritur gjatë viteve të shkuara mbeten tregues realë të potencialit të ekonomisë tonë.
Në horizontin afatgjatë, mbetemi tërësisht të bindur në përfitimet që sjell regjimi i lirë i kursit të këmbimit. Ai do të jetë pasaporta dhe mbështetësi më i mirë i ekonomisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian.
I ftoj të gjithë agjentët ekonomikë të gjykojnë me ftohtësi mbi përfitimet e monedhës kombëtare, si instrumenti më i mirë afatgjatë për ruajtjen e kursimeve të tyre dhe si zbutësi më i madh i luhatjes së pasurisë.
Leku për Shqipërinë ka qenë është dhe do të mbetet një monedhë e suksesshme. Është monedha që shërben si spirancë për të gjithë iniciativat tona evropiane. Në 17 vitet e fundit leku ka ditur t'i bëjë ballë presioneve inflacioniste dhe presioneve të tregjeve të huaja. Leku duhet lënë i qetë. Ai duhet të lëvizë i lirshëm në udhën e tij në përputhje me kërkesën dhe ofertën. Leku është ikona e ekonomisë shqiptare e cila do të na shoqërojë deri në portat Evropiane. Ftoj median, ta mirëkuptoj këtë mesazh dhe ta përcjellë atë në publik.
(*) Nga fjala e mbajtur sot më 24 shtator 2009, me rastin e Leksionit të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, DurmuÅŸ Yilmaz me temë "Kriza aktuale financiare botërore dhe zhvillimet më të fundit në ekonominë turke dhe politikën e saj monetare"