Në sallën e Teatrit të Kosovës, shumë njerëz mbetën të habitur me atë pjesë të Shqipërisë që përjetuan në film. Nuk e kishin njohur. Ajo nuk është as Shqipëria e luftës, as Shqipëria e Enver Hoxhës, as Shqipëria e sotme. Ajo është Shqipëria e mbijetesës, për të cilën fatkeqësisht dihet shumë pak
Nga Armand Shkullaku
Të martën në Prishtinë u shfaq një copë Shqipëri, të cilën një pjesë e madhe e njerëzve në Kosovë nuk kanë mundur ta njohin. Nuk e kanë njohur as brezat pas viteve '90, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë. Ndërsa ne, që shënuam vitin e fundit universitar në Shqipëri ndërsa regjimi komunist shembej, pothuajse e kishim harruar. Filmi i fundit i Gjergj Xhuvanit, "Lindje-Perëndim-Lindje", në premierën e tij në Pri Film Fest, solli pikërisht atë periudhë që do të shënjonte për një kohë të gjatë formimin e një gjenerate të tërë dhe që shoqëroi për vite më radhë imazhin e shqiptarëve në Europë. Kinemaja e Xhuvanit, të martën në mbrëmje në Prishtinë, ishte hapësira tronditëse ku u mbyllëm të gjithë për të përjetuar të kaluarën tonë dhe për të kuptuar ku jemi sot. Filmi "Lindje-Perëndim-Lindje" arrin t'u rrëfejë atyre që nuk e kanë njohur, një Shqipëri në çastet e saj më të çoroditura, kur e braktisur nga kontrolli shtetëror dhe e pakuptuar nga mentaliteti perëndimor, ajo humbi. Mbeti rrugëve, u end nëpër Europë, në aventurat më të pabesueshme, shpeshherë tragjike e shpeshherë absurde deri në komedi. Është një nga momentet më delikate, kur pas 50 vjet izolimi ndodhi përplasja e parë e papritur dhe e menjëhershme me Perëndimin. Një përballje tronditëse, e mbushur me zhgënjime, drama, histori të pabesueshme njerëzore që do të ndikonin në mënyrë të padiskutueshme në formimin e individit post-komunist shqiptar. Gjithë kjo dramë njerëzore, kjo dendësi ngjarjesh në një kohë të shkurtër, mungon ose thuajse ka dështuar të rijetohet në artin shqiptar. Duke dashur të merren me tema universale, të mëdha, historike apo duke dashur të trajtojnë ngjarje të thjeshta nëpërmjet mesazheve të komplikuara filozofike, artistët shqiptarë në përgjithësi, por kineastët në veçanti, e kanë shmangur, ose më keq akoma, e kanë bastarduar një prej periudhave më tronditëse të tranzicionit shqiptar. Regjisori Gjergj Xhuvani është nga të paktët, në mos ndoshta i vetmi, që në 18- 19 vitet e fundit pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ka vizatuar më mirë dy periudha të tjera kyçe për shqiptarët. Komunizmin me filmin "Parrullat" dhe luftën e dytë botërore me "I dashur armik". E ka bërë thjesht, me dialogë ta pakomplikuar, ku dallon sinqeriteti i personazheve dhe absurdi i kohës. Histori të zakonshme njerëzore në Shqipërinë e atyre kohëve, por që në thelb janë pak a shumë fati ynë i përbashkët, janë historia dhe filozofia e vetë jetës sonë. Filmi i fundit i Xhuvanit kërkon të vizatojë, me të njëjtin stil dhe thjeshtësi të bukur, një periudhë të tretë. Është historia e një ekipi çiklistësh prej pesë vetash dhe trajnerit të tyre, që në grahmat e fundit të regjimit komunist u caktuan nga partia ta përfaqësonin shtetin shqiptar në një kompeticion në Francë. Një fat i rrallë për çdo njeri në atë kohë. Pas peripecive përpara nisjes, grupi niset me një anije mallrash për në Itali nga ku do të duhej ta merrte rrugën për në Francë. Gjatë qëndrimit në Itali, ata shohin në lajmet e televizionit italian se në Shqipëri njerëzit e revoltuar nga shtypja dhe varfëria kanë shpërthyer dyert e ambasadave perëndimore duke kërkuar strehim. Kaosi politik bën që ambasada shqiptare në Itali t'i shkëpusë lidhjet me ekipin e çiklistëve. Ata nuk mund të udhëtojnë drejt Francës, nuk kanë mundësi të qëndrojnë në Itali, por nuk mund të kthehen dot as në Shqipëri, sepse udhëtimet me anije janë ndërprerë. Çiklistët e Xhuvanit, ashtu si Tom Hanks në "Terminalin" e Spielbergut, mbeten të ngecur në kurth, as në Perëndim dhe as në vendin e tyre. Nis kështu për ta një aventurë e pabesueshme (për ata që nuk e kanë përjetuar realisht atë periudhë), kthimi me biçikleta nga Trieste nëpërmjet Jugosllavisë së asaj kohe për në Tiranë. Një kthim absurd drejt një vendi të shkretë ku të gjithë duan të ikin. Pavarësisht se ky fiction-udhëtim vendoset në një kontekst të caktuar, ai i ka brenda mijëra e mijëra udhëtime të ngjashme të shqiptarëve në të gjitha drejtimet. Ai ka brenda udhëtimin tim dhe të Blendi Fevziut drejt Italisë, ku të mbetur pa të holla dhe pa mundësi kthimi në Tiranë, u detyruam të kalojmë natën nën kolonat e Vatikanit, në marsin e ftohtë të vitit 1991. Ka udhëtimin e Andi Bejtes që u nis me një kamion të rastit e pastaj vazhdoi në këmbë për të kaluar kufirin me Greqinë. Ka qindra histori të tjera të brezit tim, ku shokë të mi, djem dhe vajza, braktisën vitin e fundit të studimeve dhe morën anijet drejt Italisë në një aventurë që mund t'i çonte drejt vdekjes. Fati i çiklistëve të Xhuvanit, pavarësisht se nga ishin nisur e ku shkonin, lidh gjitha përpjekjet e një gjenerate për të gjetur fatin e saj në përballjet me mbijetesën, kampet, policinë, vizat e falsifikuara, betejën me një botë re, në të cilën nuk gjetën dot vend lehtë siç mendonin, por u desh të bënin luftëra nga më të pabesueshmet. Shumë prej tyre ia dolën, sot janë personazhe të njohura në Shqipëri dhe gjetkë, por kjo periudhë sigurisht që i ka shënjuar njëherë e përgjithmonë. Unë e rijetova dhe njëherë atë në filmin e Xhuvanit. Ashtu siç ka ndodhur, të vërtetë, pa stërhollime dhe metafora të sofistikuara. Aty ishte historia e pesë djemve dhe njëkohësisht historia e një brezi. Në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shumë njerëz mbetën të habitur me atë pjesë të Shqipërisë që përjetuan në film. Nuk e kishin njohur. Ajo nuk është as Shqipëria e luftës, as Shqipëria e Enver Hoxhës, as Shqipëria e sotme. Ajo është Shqipëria e mbijetesës, për të cilën fatkeqësisht dihet shumë pak, jo vetëm në Kosovë, por edhe tek të rinjtë në Shqipëri, të cilët duhet ta njohin atë. Ajo është historia e prindërve të tyre, që çdo ditë urojnë me vete që ata të mos e jetojnë kurrë atë. Ata duhet ta njohin për të mos harruar se nga janë nisur dhe se sa e rëndësishme është të mbërrijnë diku. Filmat si ky i Gjergj Xhuvanit janë shenjat e rralla në këtë rrugë. Të çmueshëm në thjeshtësinë e tyre.
(*) Marrë nga "Express", titulli i origjinalit: "Shqipëria e mbijetesës"