English

Përplasja e makinës me një pemë në qendër të Tiranës, shkakton 5 të plagosur rëndë

Tiranë, 24 Shtator NOA - Një aksident me pasojë plagosjen e pesë personave, katër prej të cilëve në gjendje serioze, ndodhi në minutat e para të ditës së sotme në qendër të Tiranës.

Burime në vendngjarje dhe të policisë Rrugore, thanë se aksidenti ndodhi në fillim të rrugës "Myslym Shyri".

Një automjet luksoz, i markës "BMW" tipi "X5", me targa TR 5900 P, në të cilin po udhëtonin veç drejtueses së makinës, një vajzë në moshë të re, edhe dy vajza dhe dy djem moshatarë, u përplas me pemën buzë rrugës.

Aksidenti ndodhi në çastin kur makina që i drejtohej bulevardit qendror, po dilte nga rruga "Myslym Shyri" dhe në rrethana ende të paqarta, u përplas me një nga pemët e trotuarit.

Si rezultat i përplasjes së fortë që u nxit nga shpejtësia e lartë me të cilën ecte makina, u shkaktua plagosja rëndë e katër prej personave që gjendeshin në makinë, dhe lëndimi i një të pesti.

Nga hetimet e para, policia beson se aksidenti erdhi në momentin kur drejtuesja e mjetit po përpiqej të shmangte një pusetë ku nuk kishte shenjë paralajmëruese (sinjalistikë rrugore), me pasojë përfundimin jashtë rrugës dhe përplasjen me pemën.

Të plagosurit u dërguan në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku gjenden nën kujdesin e tyre.

e.r/NOA

KOMENTE