English

Sejdiu: Paqja dhe mirëkuptimi, rruga e vetme për një botë më të mirë

Nju Jork, 24 Shtator NOA - Me rastin 21 Shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Paqes, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ka dhënë një deklaratë, tekstin e së cilës e gjeni të zbardhur të plotë:Â

"Në të gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqes. Me lutjen që askund në botë të mos ketë luftë, konflikte apo lloje të tjera të veprimeve të dhunshme, që i sjellin dhembje dhe fatkeqësi njerëzimit, edhe Republika e Kosovës i bashkohet familjes së madhe të vendeve të lira, sovrane dhe demokratike në shënimin e kësaj dite.

Ndonëse për dekada të tëra, kemi përjetuar vuajtje dhe tragjedi të rënda, madje edhe synimin për zhbërjen tonë të plotë, ne, populli i Kosovës gjithmonë jemi përpjekur për marrëdhënieve të mira në rajon, duke i qëndruar besnikë idesë se vetëm paqja, mirëkuptimi dhe e drejta e secilit popull për të jetuar i lirë dhe për të ndërtuar vet të ardhmen e tij është zgjidhja e vetme për stabilitetin e rajonit.

Paqja dhe mirëkuptimi janë edhe sot zëri i vetëm i Republikës së Kosovës, shtetit të pavarur, të njohur nga 62 shtete dhe të anëtarësuar në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë. Njohja e vendit tonë nga shtetet më të fuqishme të botës dhe paralajmërimet për njohje të reja, për cilat unë do të bisedoj në selinë e OKB-së me shumë kryetarë e përfaqësues shtetesh pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, është dëshmia më e mirë se fuqitë moderne, miqtë e mëdhenj të Republikës së Kosovës e kanë kuptuar qartë rrugën e drejtë që po ndjekim ne dhe janë krah nesh në realizimin e synimeve tona, anëtarësimin tonë në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Meqenëse ka kaluar nëpër kalvare të pafundme vuajtjesh, populli i Republikës së Kosovës e kupton më së miri cilat janë anët e errëta të jetës që shkaktohen nga konfliktet, nga mungesa e paqes dhe e mirëkuptimit. Nisur nga kjo, thirrja jonë për të gjitha ata që nuk janë pajtuar ende me realitetin e krijuar në shtetin tonë është që ta mbyllin kapitullin e së kaluarës dhe ta kuptojnë e ta pranojnë këtë realiteti. Sa më parë që do të ndodhë kjo, do të jetë më mirë për vetë ata, por edhe për gjithë rajonin, i cili duhet të gjejë sa më parë stabilitetin e munguar një periudhë të gjatë.

Po kështu, në emër të gjithë asaj që kemi përjetuar dekada të tëra, përcjellim mesazhin për ndërprerjen e të gjitha konflikteve të armatosura dhe hasmërive kudo në botë. Paqe dhe mirëkuptim, kjo është rruga e vetme që sjell përparimin për të gjithë njerëzit, sidomos për të rinjtë që në shumë vende të botës janë viktima të konflikteve e të mostolerancës. T'u hapim rrugë atyre, për të ndërtuar një botë më prosperuese, pa konflikte e pa vuajtje.

Paqja dhe mirëkuptimi janë rruga e vetme për një botë më të mirë. Të lutemi dhe të punojmë pandërprerë për t'ua lënë gjeneratave të ardhshme një botë të tillë".

e.r/NOA

KOMENTE